RENEA ka nisur një operacion në Pogradec, duke kontrolluar disa mjedise për kapjen e personave në kërkim. Forcat e policisë kanë bastisur banesën e të kërkuarit Erjon Llapushi, por nuk është gjetur aty.
Gjatë aksionit të forcave RENEA janë sekuestruar dhjetëra armë zjarri dhe armë të ftohtë thika, drogë, afro 200 milionë lekë ndërsa 14 persona janë shoqëruar në polici për t’u marrë në pyetje.
Kush është Erjon Llapushi?
Erjon Llapushi renditet në listën e 5 personave që Policia e Shtetit i konsideron si të kërkuarit më të rrezikshëm. Tetorin e vitit 2021, ai u shpall në kërkim pasi dhunoi për vdekje një kamarier në Elbasan. Llapushi dhunoi 50-vjeçarin Gazmend Kurmaku, pasi i tha se tavolina ku ishte ulur ishte e rezervuar.
Në sherr e sipër, 50-vjeçari u përplas me kokë në një pjesë betoni, duke përfunduar në vdekje klinike. Kurmaku ndërroi jetë më 7 tetor të vitit 2021, në Spitalin e Traumës ku u transferua natën e ngjarjes. Më 17 korrik të 2024, Prokuroria e Elbasanit kërkoi 20 vite burg në total për veprën penale “vrasje me dashje”.
Më 5 maj të vitit 2020, Operacioni Forca e Ligjit (OFL ) në aksionin e shpërndarjes së formularit të pasurisë në Pogradec kërkonte deklarim edhe nga Llapushi. Në atë periudhë ai ndodhej në qelitë e paraburgimit, pasi dyshohej se ishte pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, që përmes shantazhit dhe dhunës, detyronin biznesmenët e Pogradecit të dhuronin aksionet e tyre.
Erjon Llapushi rezulton të ketë tjetërsuar një pjesë të aksioneve të bizneseve duke ua dhuruar më pas personave të tretë, gjithashtu me precedentë penalë. Në dëshmitë e zbardhura të aksionarëve të kompanive, iu shpjegohej hetuesve brutaliteti me të cilin vepronin anëtarët e bandës, me qëllim që ata të firmosnin kontratat për dhurimin e aksioneve.
Në dhjetor të 2018, dy vëllezër biznesmenë kanë kërkuar ndihmë nga Policia, çka çoi më pas edhe në arrestimin e Llapushit dy muaj më vonë. Ndërkohë, më 29 maj 2021 ai ra në pranga në kuadër të operacionit “Perimetri” pasi u kap duke transportuar 24 emigrantë të paligjshëm në zonën e Pogradecit.
Nuk u mësua asnjëherë se si Erjon Llapushi rifitoi lirinë brenda pak muajsh nga arrestimi. Në njoftimin e Policisë për atë rast, thuhej se Llapushi ishte dënuar edhe për plagosje në vitin 2008, ngjarje e ndodhur në një lokal në Pogradec.