Arben Qyrani, është 49-vjeçari, i cili u shoqërua pasditen e sotme pasi hodhi shashka gjatë protestës pas shembjes së Teatrit Kombëtar, dhe lëndoi dy gra.
Mësohet se, Qyrani, është proceduar më herët gjatë një proteste të zhvilluar në zonën e Astirit, në vitin 2018.
Madje Qyrani, ka edhe foto krah kryedemokratit Lulzim Basha. Mediat kanë publikuar një recetë, ku sipas tyre, 49-vjeçari ka probleme mendore.
Arben Qyrani, me banim tek Unaza e Re në Tiranë, u shoqërua në polici, pasi hodhi lëndët piroteknike mes turmës. I ndihmuar nga persona të tjerë, Qyrani doli nga turma por u ndalua pak metra larg vendit ku po mbahej protesta nga agjentët e Policisë.
Në protestën e sotme u lëndua me shashkë gazetarja Sonila Osmanaj dhe një tjetër grua, ende e paidentifikuar. Ato kanë pësuar djegie në trup si pasojë e shpërthimit, megjithatë janë jashtë rrezikut për jetën.