Sot në natën e dytë të Sanremo-s përkrah Amadeus do të jenë tri prezantuese; gazetaret Emma D’Aquino dhe Laura Chimenti, si dhe showgirl-i dhe këngëtarja Sabrina Salerno. Por kush janë këto vajza?
Emma D’Aquino

Emma lindi në Catania në vitin 1966 dhe është diplomuar për Shkenca Politike. Ajo e filloi karrierën e saj në fushën e gazetarisë në vitet ‘90 në mediat lokale. Në 1996-ën u bë pjesë e televizionit kombëtar, ku u mor me çështje të rëndësishme të asaj kohe. Në vitin 2003 u bë pjesë e redaksisë së TG1. Në 2018-ën ajo u ngjit për herë të parë në skenën e Sanremo-s, por sot do të jetë për herë të parë në rolin e prezantueses.
Sot në Sanremo, Emma D’Aquino do të veshë fustanet e stilistit Antonio Grimaldi, këpucët do të jenë nga Salvatore Ferragamo dhe do të mbajë bizhuteri të markës Chopard.
Laura Chimenti

Chimenti lindi në Romë në vitin 1976. Hapat e parë në gazetari i nisi në Askanews deri në vitin 1996, kur u përfshi në Rai me një rubrikë televizive të quajtur “Style”. Në vitin 2000 ajo u bë pjesë e redaksisë ekonomike të TG1, si një gazetare profesioniste. Më pas mori shumë hapësira në televizion, madje edhe orare primetime.
Ajo është e apasionuar pas muzikës rock, por jo dhe aq pas rrjeteve sociale. Laura hapi profilin e saj në Instagram vetëm pak ditë më parë, pasi u konfirmua prezenca e saj në Sanremo. Pjesëmarrja e saj në edicionin e 70-të të Sanremo-s ishte një surprizë e madhe për të, aq sa kur Fiorello e kontaktoi për të konfirmuar prezencën, ajo mendoi se ishte një shaka e zakonshme e showman-it.
Laura Chimenti do të veshë sot dy fustane të realizuar për të nga stilisti Sylvio Giardina dhe një të markës Fendi. Këpucët e saj do të jenë Aquazzurra, ndërsa bizhuteritë Bulgari.
Sabrina Salerno

Sabrina Salerno është një showgirl, aktore dhe këngëtare italiane. Ajo lindi në Genova në vitin 1968 dhe u bë e famshme në vitet ’80, në të gjithë Europën. Sabrina pati një sukses të madh, falë albumeve të saj Sabrina, Super Sabrina, Over The Pop dhe këngëve Sexy Girl dhe Boys (Summertime Love), kjo e fundit e renditi në vendin e tretë në klasifikimin britanik, gjë e rrallë për një këngëtare italiane.
Më pas, ajo vazhdoi karrierën e saj edhe në aktrim, si dhe u përfshi në shfaqje teatrale dhe televizive. Gjatë karrierës së saj ajo numëron 20 milionë disqe të shitura dhe renditet ndër artistet italiane me më shumë shitje jashtë Italisë.
Markat që do të veshin Salerno-n sonte në Sanremo janë ende sekret.