Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi së bashku me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara, Yuri Kim, USAID Albania dhe UNICEF Albania vizituan shkollën “At Zef Pllumi” në Shëngjinin, ku zhvillojnë mësim nxënësit afganë.
Ministrja Kushi ka falënderuar ambasadoren Kim, USAID-in dhe UNICEF-in, të cilët së bashku me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, si dhe komunitetin e Shëngjinit, kanë bërë një punë të jashtëzakonshme për mikpritjen e afganëve të evakuar nga vendi i tyre.
Ajo thekson se fëmijët afganë, prindërit dhe stafi mësimor i tyre janë integruar më së miri me komunitetin vendas.
Ambasadorja e SHBA-së Kim u shpreh se, projekti i USAID-it siguron që të gjithë fëmijët të cilët jetojnë në Shqipëri të kenë hapësira të sigurta për të mësuar, ndërvepruar dhe rritur.
“Ne gjithashtu po ndërtojmë mënyra me anë të të cilave fëmijët, prindërit dhe stafi afgan të integrohen dhe shkëmbejnë ide me komunitetet shqiptare”, tha ajo.
Gjatë vizitës së saj, ambasadorja Kim falënderoi komunitetin e Shëngjinit për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë për të pritur ngrohtësisht afganët e evakuar.
Ajo gjithashtu vizitoi klasat dhe i nxiti nxënësit afganë që të kenë ëndrra të mëdha.
