Këtë të premte Gjykata Kushtetuese ka kaluar për shqyrtimin ankimin e kryeministrit Edi Rama kundër vendimit të GJKKO për pezullimin e Ballukut nga detyra si zv.kryeministre dhe ministre Infrastrukture. Qeveria ”Rama 4” kërkon të zgjidhet mosmarrëveshja e kompetencave e krijuar mes saj dhe GJKKO-së dhe shfuqizimin e vendimit për pezullimin nga detyra.
Trupa e gjyqtarëve të Kushtetueses u nda 5 me 3, ndërsa tashmë pritet të caktohet edhe relatori i çështjes dhe data kur do të shqyrtohet ankimi. Ende nuk raportohet të ketë një vendimmarrje mbi kërkesën e qeverisë për pezullimin e vendimit të GJKKO-së për Ballukun, deri në shqyrtimin e ankimit të Ramës, i cili me kalimin për shqyrtim legjitimohet edhe si palë në çështje.
Parashikimi kushtetues, sipas të cilit anëtari i qeverisë gëzon imunitetin e deputetit, është pika kryesore mbi të cilin kryeministrit Edi Rama ka ndërtuar ankimin. Sipas ankimit, përsa kohë nuk mund të vendoset gjyqësisht pezullimi nga detyra i deputetit, kjo s’mund të ndodhë as për një ministër.
Po ashtu në ankimim flitet për ndërhyrje të pastër në kompetencat e një tjetër pushteti, siç është ai ekzekutiv, dhe se GJKKO ka marrë attribute që nuk ia njeh Kushtetuta. Qeveria nuk e ka ankimuar në Kushtetuese masën tjetër të sigurisë për ndalimin e daljes jashtë shtetit.
