Gjykata Kushtetuese ka shtyrë këtë të martë seancën për shqyrtimin e padisë së PD-së për VKM për operacionet për ndërtimet pa leje. Shkak i shtyrjes është bërë për shkak të pretendimit që ngriti përfaqësuesja e qeverisë, Elira Kokona, e cila tha se pala paditëse nuk legjitimohet, për arsye se kërkesë padia është firmosur nga 2 deputetë që kane hequr dorë nga mandati, Grida Duma, Alfred Rushaj.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi kërkoi që senaca të vazhdojë, duke thënë se kjo VKM është në kundërshtim me Kushtetutën. Sa i takon pjesës së firmave, ai tha se kërkesë padia nuk rrëzohet ndonëse Duma e Rushaj nuk janë pjesë e PD-së, pasi në momentin që e kanë firmosur kanë qenë pjesë e Grupit Parlamentar.
“Kërkesa është paraqitur nga 28 deputetë, në momentin që është vënë në lëvizje Gjykata Kushtetuese. Pra 28 firmëtarët kanë qenë deputetë në momentin që kanë firmosur. Znj. Duma dhe z. Rushaj kanë qenë deputetë kur kanë firmosur. Me këtë logjikë i bie që nëse Presidenti i Republikës vendos në lëvizje Gjykatën Kushtetuese dhe nëse ai qëllon që i mbaron mandati, apo vdes, i bie që çështja të mbyllet. Nuk ka kuptim. Në momentin që kjo kërkesë është firmosur, 28 deputetët kanë pasur këtë funksion. Gjykata ka për detyrë të shqyrtojë nëse ky akt është ose jo në përputhje me Kushtetutën”, tha Bardhi në seancë.
