Pas javës së fundit të shkurtit, e cilësuar ndryshe si ‘Java e Gjelbër’ ligjvënësit janë rikthyer pasditen e sotme në sallën e Parlamentit me rend dite ‘diskutime për çështje të evidentuara nga zgjedhësit’.
Nuk mund të shpëtonte nga fokusi i diskutimeve gjendja e luftës në Lindjen e Mesme si dhe protesta e 28 shkurtit e zhvilluar nga Partia Demokratike. Ndërkohë që deputeti i PD Tritan Shehu kërkoi që Kuvendi i Shqipërisë të dilte me një deklaratë të përbashkët për të treguar qëndrimin e Shqipërisë krah sulmeve të koordinuara mes SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, Balla iu përgjigj duke e paralelizuar situatën me aktet e dhunës të ushtruara nga opozita nëpër protesta.
Duke e cilësuar Berishën si Ajatollahu i fundit i mbetur në Evropë, Balla tha se në kohën që SHBA dhe Izraeli sulmonin Iranin, kryetari i PD urdhëronte militantët të sulmonin ashpër vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha në një moment që brenda kishte artistë. Sigurisht kjo kundërshtohet nga Gazment Bardhi me argumentin që nuk kishin dijeni për prezencën e tyre në vilë. Sot vila e Enver Hoxhës shërben si qendër kulturore që pret artistë nga e gjithë bota.
