Close Menu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Facebook Instagram
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise
Facebook Instagram
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Abonohu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
Pa kategori

KUVENDI I ARBRIT PER ÇESHTJET JETIKE “IDENTITET FETAR E KOMBETAR”

23:27 / January 14, 201912 Mins Read
Facebook LinkedIn Email WhatsApp
Kuvendi i Arberit
Share
Facebook LinkedIn Email WhatsApp

Lindita Kokaj, gazetare

Ne 14 e 15 janar të vitit 1703 në Mërqi afër Lezhës u mblodh Kuvendi i Arbërit, Koncili i Kishës Katolike në trojet Shqiptare me dëshirën e Papa Klementit XI , Xhanfrançesk Albanit, me prejardhje shqiptare, i cili këtë ngjarje të madhe kishtare e kombëtare ia besoi kryeipeshkvit të asaj kohe të Tivarit, imzot Vinçenc Zmajeviçit. Sipas historianeve si edhe meshtareve, Kuvendi apo Koncili i Kishës katolike i trojeve shqiptare u mbledh në një situatë tejet të vështirë: populli shqiptar, këndej të krishterët e në mënyrë të vecante katolikët, pësonin trysnin e sundimit otoman, që dalëngadalë, por me vendosmëri e në mënyrë sistematike punonte për kalimin e popullsisë shqiptare në fenë islame.

Të joshur nga premtimet dhe lehtësirat që turqit krijonin e u jepnin myslimanëve, një pjesë e mirë e shqiptarëve kaloi në fenë islame, ose mbeten të krishterë të fshehtë, do të thotë që në shtëpi e mbanin fenë dhe doket e krishtera, derisa në jetën publike paraqiteshin si myslimanë e kishin edhe nga dy emra. Është fjala për ‘kriptokatolikët’ apo ‘laramanët’, fenomen ky ende sot e kësaj dite i pranishëm në disa zona të Kosovës siç është ajo e Karadakut afër Gjilanit e Vitisë apo në zonë të Istogut e të Mallishevës. Ky fenomen apostazie u dënua nga Kuvendi i Kishës së Arbërit. Përsa i përket Kishave, perandoria otomane fillimisht nuk i prishte, por as nuk lejonte që të bëheshin meremetime, apo të ndërtoheshin Kisha të reja, duke e përkufizuar e më vonë duke ndaluar jetën dhe veprimtarinë e Kishave, e si pasojë erdhi deri te rrënimi i pashmangshëm i sa e sa Kisha e kuvendeve rregulltare – manastireve të krishtera në trojet shqiptare. Përveç aspektit shpirtëror, këndej fetar, luftimi i Kishave nga turqit ishte edhe luftim kundër orientimit të shqiptarëve drejt kulturës perëndimore evropiane.

Në kushte të këtilla, pra, u mblodh Kuvendi apo Koncili Kishtar Kombëtar Shqiptar në Mërqi më 14 e 15 janar të vitit 1703, në të dielën e dytë pas Krishtlindjes, në Kishën e shën Gjon Pagëzuesit. Qe pikërisht kryeipeshkvi imzot Zmajeviçi, ai që e mbajti fjalën e hapjes së këtij Koncili vendor kishtar. Në të bie në sy gëzimi dhe shpresa që, pas kaq shekujsh të tiranisë turke, u bë e mundur një mbledhje e tillë. Njëkohësisht, imzot Zmajeviçi u kujtoi të gjithë ipeshkvijve pjesëmarrës të Kuvendit të Arbërit detyrën që të kujdesën me të gjitha forcat për ringjalljen e jetës fetare të popullit, e të punojnë për përtëritjen dhe rritjen e klerit si dhe për lirinë fetare të kultit e të popullit. Kuvendin e Abërit, episkopati shqiptarë, në njërën anë analizoi aspektet e brendshme kishtare: administrimin e Sakramenteve, lirinë fetare e të kultit, reformën e zakoneve e tjera dhe në anën tjetër gjendjen e popullsisë në realitetin shoqëror nën sundimin otoman me të gjitha problemet e rënda që përjetonte çdo ditë.

Vendimet e Kuvendit te Arbrit

Vendimet e Kuvendit të Arbërit qenë të rëndësishme pikërisht për rregullimin e brendshëm të jetës dhe veprimtarisë kishtare, për ringjallërimin e fesë dhe në anën tjetër për nxitjen drejtuar popullsisë shqiptare për mbrojtjen e vlerave dhe të identitetit kombëtar para pushtimit e sundimit shkatërrimtar otoman. Kuvendi mori në shqyrtim dhe mbrojti dy çështjet më jetike për shqiptarët: identitetin fetar e identitetin kombëtar shqiptar. Sipas burimeve nga famullia e Kallmetit, pjese e se ciles eshte edhe Kisha e Shen Gjonit ne Merqi, vendi ku u mlodh Kuvendi i Arbrit, me sohet se materialet e punimeve të Kuvendit të Abërit në gjuhën latine, u hartuan nga imzot Vinçenc Zmajeviçi dhe u botuan në Romë më 1706. Botimi i dytë, me disa shtesa latinisht, u botua në Romë i përkthyer nga dora e shkrimtarit të njohur shqiptar, dom Engjëll Radojës më 1868. U përsërit nga i njëjti shkrimtar më 1872. Rëndësi e dorës së parë iu dha qartësisë së gjuhës, në mënyrë që dekretet e Kuvendit Kishtar të ishin sa më të kuptueshme për masat e popullit. Botimi shqip i punimeve të Kuvendit të Arbënit eshte vleresuar si i pari botim aktesh kishtare sinodale në gjuhën shqipe, me sa dihet deri më sot. Ato dalin nga një mbledhje e nivelit të lartë sinodal për Shqipërinë veriore e të mesme, ku ne fokus ishte edhe gjendja e vështirë ekonomike të shqiptarëve në atë kohë, për gjeografinë, për çështjet e shkollimit, për situatën e lirisë njerëzore e fetare, për të drejtat themelore njerëzore që u mohoheshin sistematikisht e me një tragjedi të mirëmenduar të turqve. 
Nga ana tjeter kjo ngjarje ka një rëndësi të vecantë , pasi teksti shqip i Kuvendit të Arbenit është një dëshmi e rëndësishme e 1706-es për historinë e shkrimit të shqipes, e po kështu ka edhe vlera të mëdha për historinë dhe gjuhën e shqiptarëve. Në këtë zgripin qe kishte arritur nga pushtimi Osman, palca e shqiptarisë, mendohej se shumë shpejt Arbëria do të quhej Turqia e vogël e Europës, por falë Zotit kjo nuk ndodhi, pasi si me dorën e krijuesit në krye të Selisë së Shenjtë kishte ardhur Papa Klementi XI, që ishte prej mishi e gjaku shqiptar, madje rridhte nga ato familje që kishin lënë vendin e tyre për të emigruar në Itali nën dhunën e pushtuesit otoman gjatë shekullit XV. Papa Klementi XI, me të ardhur në krye të Kishës Katolike të Botës, urdhëroi klerin e lartë katolik shqiptar që sa më parë të organizohej një kuvend kombëtar, ku të viheshin në vend punët e fesë e të kombësisë. U diskutua mbajtja e shkollave shqipe pranë famullive që ekzistonin, por edhe rihapja e atyre që ishin mbyllur, gjithashtu u vendos ringritja e kishave të rrënuara, si dhe u vendos që katolikët të kenë bekimin e kishës vetëm atëherë kur jetojnë në bazë të dokeve e zakoneve shqiptare të miratuar e predikuar prej shekujsh nga doktrina kristiane. Të gjitha këto do të bënin të mundur qëndresën e palëkundur nën pushtuesin mizor otoman, që kërkonte të zhdukte pa mëshirë jo vetëm grigjën, por edhe farën katolike të shqiptarisë. Fatmirësisht kuvendi e kreu detyrën. Bota kristiane e njohu dhe e përkrahu Kuvendin e Arbërit të 14 e 15 janarit të vitit 1703.

Nenshkruesit e Koncilit te Arbrit

Klerikët që nënshkruan Konçilin e Parë të Shqipërisë, te mbajtur në Merqi në vitin 1703 nën kryesinë e Shkelqësisë së Tij, Imzot Vincenc Zmajevic, arqipeshkëv i Tivarit ishin: 
Imzot Vincenz Zmajeviq, arqipeshkëv i Tivarit, Primat i Serbisë, Vizitator apostolik në Shqipëri.
Imzot Pjeter Karagjiku, arqipeshkëv i emnuem i Shkupit.
Imzot Gjergji, Ipeshkëv i Zadrimës.
Imzot Nikollë Vladanji, ipeshkëv i Lezhës.
Imzot Ndue Babi, ipeshkëv i emnuem i Shkodrës.
Imzot Marin Gjini, ipeshkëv i zgjedhun i Pultit.
Atë Fra Egjidi de Arsenta, Prefekt Apostolik i Misioneve t’Arbënisë.
Atë Fra Frano Maria a Lycio, Prefekt Apostolik i Misioneve të Maqedonisë.
Atë Fra Martini nga Gjonima (Gjonmi), i pari i Provinçes së Fretënve.

Letra e Imzot Zmajeviçit

Kuvendi apo Koncili i Arbërit që u mbajt në Kishën e Shën Gjonit të Merqise, nën drejtimin e Imzot Vinçenc Zmajeviçit, ishte me rëndësi të jashtëzakonshme për fatet e Kishës katolike në trojet shqiptare e të gjuhës shqipe. Ishte data 14 janar e Kuvendi do të vijonte edhe të nesërmen. Më 28 janar të vitit të largët 1704. Kongregata për Ungjillëzimin e Popujve, që njihej me emërtimin latin “Propaganda Fide” miratonte botimin e dokumenteve të këtij Konçili. Askohe në fronin e Shën Pjetrit ishte ulur Papa shqiptar, Kelmendi XI, i cili i pati kërkuar Imzot Vinçenc Zmajeviçit, Kryeipeshkëv i Tivarit, të kryente vizitën kanonike në të gjitha kishat dhe qendrat katolike të Shqipërisë.  Imzot Zmajeviçi i përcillte dokumentet me letrën që vijon, përmes së cilës shihet qartë se kleri shqiptar i qëndroi pranë në gaz e në vaj popullit të vet dhe i parapriu rilindjes së tij kombëtare. Kanë kaluar pothuajse 312 vjet tashme nga ky kuvend dhe per lexuesin po sjellim ne shqip kete leter: “Urdhnove, o i Lumtuni Atë, me të vizituem Apostolik, të vërej mbi Kishat e Arbënisë së provinçës seme. Ju binda urdhënit; ju solla dheut; kërkova rruzullimin; pashë plagët e tij. Pashë, – uh, ç’dhimbje, – vu nën haraç atë që dikur kje despoti i Provincjave; (pashë) (Shypninë) Zonjën e gjindëve ndrydhë nën thember, me dhimbje të idhta; shqytin e trimave – shembë; murin e forcës sonë – rrenue! Pashë gjindt, hy në vend shenjt; kishat, të flligta; lterët përlye. Mezi pashë vend ku të mundej populli me u mbledhë në kuvend! Pashë pleqtë tue ulurue; Meshtarët, shërbëtorët e Hyjit, tue gjimue; çobantë, vra; dhentë tretë, tue u shpërnda dy udhëve; murtajën, që pa mëshirë i çoroditëte të gjithë; e plasjen e mortaisun, që trimnohej për të gjanë e për të gjatë. Këto pashë e gjimova! U përzien përmbrendcat e mia prej dhimbe për popullin tem e m’u coptuen, tek shihshe mundimet e bijve që po mbyteshin. Tue pamë këta, thashë, populli em u ba rob, përse s’pat dijen. Tue ankue kaq të këqija e ngushtica të paudha, edhe mue më shtrëngoi ngushtica; por, për sa paçë fuqi, nuk lashë ilaç pa përdorë. Nevoja e lypte me gjetë shtigje ma të mira se vizita, as lente moti me e shtymë. Ndihma ma e madhe do të ishte mbledhja e Konçilit. Këtu i përqëndrova fuqitë, këtu ngula mendtë, tue ia himë, pa rrenë, një pune ma të randë se kishe fuqinë. Po Ai, që i ka ndihmue vëllazënt tanë, që ishin përdamë nëpër rruzullim të Fesë, më ndihmoi edhe mue në këtë vend. As detyra që kam, si çoban i shpirtnave, as kujdesi i fortë, që kam për të krishtenët e as mendët e mia të pa afta, nuk do të mujshin me e krye një detyrë kaq të randë. Po Hyji, i cili ndërron motnat e doket, që ep të rritunit e mbaron gjithë punët, Ai bani që një detyrë kaq e vështirë të kryhej si pata dëshirue.
Nën hije Tande, o i Lumtun Atë, po gëzon dheu Arbënesh e mbas ndërrimit të motit ngrihet, sikur të kishte kenë i mbuluem me njegull, tashti nën papën arbënesh, që latinisht don me thanë i bardhë – e del në dritë, e me zemër të mirë shpejton me mërrijtë përsëri në lumni të shkueme. Mendja e Atit, e cila asht ma e madhe se rrethi i shekullit, i uron me dashtëni të TinZot këtë lumni dheut tonë; për t’iu falë nderës zemrës gazmuese, vijnë si për dhanti në shatorre Apostolike, në katedër të dijes qiellore, Dekretet e Sinodit të Proviçjes Arbëneshe, në mënyrë që, në paçin gabime, të qortohen me fjalë Tande.  Unë, pra, në paça gabue si Prelat Arbënesh, vij te magjisteri i Pjetrit me u qortue; e nuk më vjen marre me i kthye ndryshe fjalët. Nuk kanë kurrfarë vlere veprat tona të errta; asgja nuk vlejnë Dekretet, në se nuk mbështeten mbi Gurin e palëkundun; e si të jenë provue mbi gurin e fortë, të forcohen me profeci të pushtetes sate. Pëlqe, pra, o i Lumtuni Atë, dhantitë e nderimet e përvujta, sheje të Kombit tem, por ma fort tandit. E, n’e pashë se ndokund puna duhet lëmue, godite e ndreqe me gjykimin e shenjtnueshëm e të pagabueshëm… Po, sepse kështu këto pak të falna, që përkojnë me vobësinë tonë, me gjykimin e hyjnueshëm pagabim kanë për t’u shumue fort. E ndërkaq unë, me vëllazën të mij të tjerë të Arbënisë… lusim Hyjin t’ju ruejë Ju, Papën Arbënesh Pretmadhin, për shumë mot në Kishë e edhe ne të na ruejë shëndosh pa kurrnjë të keqe…

Kuvendi i Arberit, eshte nje nga deshmite me te rendesishme te historise se kultures sone kombetare, nje nga ato deshmi te dokumentuara me vlera te shumefishta: gjuhesore, historike, arsimore, etnografike. Ende nuk eshte ndricuar sic duhet fakti se si nisi kjo veprimtari e jashtezakonshme dhe e pashembullt per kohen. Kjo veprimtari mund te dimensionohet ne dy koordinata: nga thelbi burimor i Shqiperise, nga gjendja e saj e emergjences por edhe e shpreses, por edhe nga interesi strategjik i katolicizmit vatikanas, europerendimor, per te ashtuquajturen lindje bizantino-adriatikase, por edhe katoliko- shqiptare. Shqiperia ne ate kohe qe nen sundimin drastik otoman.

Rendesia e Kuvendit te Arbrit ne shekullin e XVIII

Duke reflektuar thelle dhe duke patur parasysh raportet historike dhe problemet e verteta te kombit shqiptar ne fillim te shek.XVIII mund te thuhet se rendesia e Kuvendit te Arberit eshte absolutisht nga me te rendesishmet ne historine kombetare shqiptare. Se pari Kuvendi i Arberit eshte nje veprimtari sa kombetare aq nderkombetare, nje nga ngjarjet me te medha ballkanike, eshte konkretisht reagimi strategjik i Evropes Perendimore ndaj Shqiperise, nje sintagme nderlidhjeje e pandare e Shqiperise si nje vend thelbesisht evropian me Evropen e papushtuar nga osmanet. Ky pranim zyrtar i katolicizmit evropian dhe boteror per statusin e Shqiperise eshte teper i guximshem dhe shume ambicioz. Se dyti, Kuvendi i Arberit, kerkon ta parandaloje apokalipsin e rrenimit dhe shkaterimit kulturor te shqiptareve per te ringjallur situaten skenderbejane para pushtimit. Dukurite e Apostazise, te kriptokrishterimit, gabimet e medha kanonike te klerikeve shqiptare perbejne sindromen tipike teologjike te Vatikanit per te nderhyre. Per historine kishtare te krishterimit, Kuvendi i Arberit eshte nje jehone e Koncileve te Trentit kunder Reformes te shek.XVI, qe plazmoi dhe figuren gjeniale te Gjon Buzukut. Se treti Kuvendi i Arberit duke botuar librin e akteve ne gjuhen shqipe ka paralajmeruar Rilindjen Kombetare Shqiptarene nje fare menyre shume perpara se sa Naum Veqilharxhi dhe Naim Frasheri. A nuk qe nje moto e madhe e rilindasve tane gjuha shqipe dhe arsimimi ne shqip? A nuk flet shkelqyeshem ne kete pike per shqipen dhe shkollat shqipe Kuvendi i Arberit. Se katerti libri ne shqip i Kuvendit te Arberit eshte nje liber i shkelqyer i prozes teologjike, sinodale, terminologjike dhe politike ne gjuhen e mirefillte shqipe, pra nje nga monumentet me te medha historike te shqipes se shkruar.

Kuvendi i Arberit eshte nje veprimtari teper e rendesishme qe ka nje status te ndryshem nga Shqiperia e roberuar nga osmanet, eshte ne antagonizem me pushtimin dhe me kulturen e pushtuesit. Duket se shqiptaret ne Kiuvendin e Arberit krijojne nje Shqiperi shpirterore parashteterore, te pavarur sikur te mos ekzistonte fare pushtimi osman. Vetem 209 vjet me vone Ismail Qermali do te ngrinte flamurin e pavaresise ne Vlore. Por pjesemarresit e Kuvendit te Arberit ne Merqi te Lezhes ishin po aq te lire dhe aq te pavarur sac ishin shqiptaret pas aktit te 28 nentorit 1912.

kokaj kuvendi
Share. Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Email WhatsApp

Postime te ngjashme

Kuvendi miraton projektligjet për bujqësinë/Braçe del kundër mazhorancës, opozita bojkoton seancën

15:47 / July 16, 2026

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, forcohen masat e sigurisë rreth Parlamentit

09:52 / July 13, 2026

Mblidhet sot Kuvendi! Rama dhe katër ministra thirren në interpelancë nga opozita

08:47 / June 11, 2026

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare/ Në axhendë interpelanca me Ramën dhe Ministrat

08:41 / June 4, 2026
Add A Comment
Leave A Reply Cancel Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

© 2026 TiranaNews. Te gjitha te drejtat e rezervuara.
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise

Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.