Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë sot, më 18 qershor, seancën plenare të radhës, e cila nis në orën 10:00.
Në rendin e ditës janë parashikuar interpelanca me anëtarë të qeverisë, përfshirë ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, zëvendëskryeministren Albana Koçiu dhe ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja.
Deputetët do të informohen gjithashtu mbi konkluzionet e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Europian, në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.
Ndër çështjet kryesore që pritet të shqyrtohen gjatë seancës janë projektligji “Për dhënie amnistie”, ndryshimet dhe shtesat në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë, si dhe projektligji “Për sektorin e energjisë elektrike”.
Në axhendë janë përfshirë gjithashtu projektligji për informacionin elektronik të transportit të mallrave, ndryshimet në ligjin për sigurimet shoqërore, si dhe disa projektvendime që lidhen me ngritjen e nënkomisioneve parlamentare dhe miratimin e Planit Strategjik të Kuvendit për periudhën 2026–2030.
