Universiteti i Oksfordit publikoi rezultatet paraprake të studimit të tij për Covid-19 që janë inkurajuese për të moshuarit sipas shkencëtarëve që po mbikqyrin provat me vaksinën. Ata thonë se në fazën e dytë të provave kanë zbuluar se vaksina është e sigurt për të moshuarit dhe ajo shkakton një reagim mjaft të fortë të sistemit imunitar.

Për shumë të moshuar virusi nënkupton vetëizolim pothuaj total. Të moshuarit janë në rrezik më të lartë nga pasojat e koronavirusit, kështu që ata janë të prirur të jenë më të izoluar se sa grupmoshat e tjera. Shumë prej tyre ndodhen në azile në pamundësi për të parë miqtë dhe familjen.

Shkencëtarët e Universitetit të Oksfordit pritet të raportojnë rezultatet nga provat e fazës së fundit të vaksinës së tyre në dhjetor, rreth festës së Krishtlindjes. Universiteti i Oksfordit ka publikuar një studim të bazuar në hulumtimet e mëparshme që zbuluan se vaksina tolerohej mirë dhe shkaktonte një përgjigje të fortë imune tek njerëzit mbi moshën 70 vjeç. Studimi u botua në revistën mjekësore Lancet të ejten.

Në studim morën pjesë 560 njerëz, mes tyre një numër i madh i grupmoshave 56 dhe 69 vjeç dhe atyre mbi moshën 70 vjeç. Kishte gjithashtu një përqindje më të vogël të moshave më të reja 18 deri në 55 vjeç, tha Dr. Melissa Andrew, profesore e mjekësisë për të moshuarit në Universitetin Dalhousie në Kanada, e cila e ka lexuar studimin e botuar në revistën Lancet.

“Por në këtë rast, ata treguan se reagimi i sistemit imunitar ishte mjaft i ngjashëm në të gjitha grupmoshat për sa kohë që ata injektoheshin me dy doza.”

Dr. Andrews thotë se është gjithashtu e rëndësishme që ilaçi të testohet në njerëz të moshuar që mund të kenë probleme të tjera shëndetësore.

“Ne duhet të kuptojmë nivelin e dobësisë së shëndetit dhe gjendjeve kronike shëndetësore të pjesëmarrësve të studimit në mënyrë që të mund të kuptojmë me të vërtetë se si ky grup njerëzish ka reaguar ndaj vaksinës”, thotë Dr. Andrew.

Faza e dytë e testimit të vaksinës ofron të dhëna të rëndësishme paraprake por ato nuk janë tregues se në fund mund të parandalojnë infeksionet.

Universiteti i Oksfordit po punon me kompaninë AstraZeneca për prodhimin e vaksinës. Ato po presin rezultatet e provave të fazës së tretë me mijëra njerëz në mbarë botën për të treguar nëse vaksina e tyre është e sigurt dhe efektive. Dy kompani të tjera farmaceutike, Pfizer dhe Moderna, këtë javë raportuan rezultate paraprake nga provat në fazën e tretë që tregojnë se vaksinat e tyre të koronavirusit ishin pothuajse 95 për qind efektive.

Por ndërsa kompanitë farmaceutike po garojnë të nxjerrin konkluzionet për provat e tyre, shumë ekspertë janë të shqetësuar se nuk ka ende një plan për mënyrën se si do të shpërndahet vaksina, ose se cili do të jetë objektivi fillestar i tyre. Shpërndarja e miliarda dozave të vaksinës do të jetë një detyrë e vështirë dhe organizatat bamirëse mjekësore ende nuk kanë marrë udhëzime për këtë çështje.

Julien Potet është drejtues i programit të vaksinave në organizatën “Mjekët pa Kufij”.

“Druhem se kjo është ende e paqartë. Sigurisht, ndoshta do të ketë disa fushata vaksinimi në shkallë të gjerë, por kush duhet të ketë përparësi? Më të moshuarit, punonjësit e kujdesit shëndetësor apo kategori të tjera të popullsisë? Kjo është ende duke u diskutuar. Ka ende mjaft të panjohura para se të kemi një qartësi mbi atë se kush duhet të ketë përparësi.”

Julien Potet, një veteran i disa fushatave të vaksinave në shumë vende, thotë se në vendet më pak të zhvilluara ka më pak profesionistë dhe burime shëndetësore, kështu që të tjerët duhet të trajnohen për ta bërë këtë punë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here