Vrasja e gjeneralit iranian Qassem Soleimani në Irak, nga forcat amerikane, ka ndikuar menjëherë në politikat e sigurisë jo vetëm në vendet e Lindjes së Mesme por edhe në shtetet europiane dhe vendet e tjera anëtare të NATO. Në Shqipëri janë strehuar nën kujdesin e SHBA, një numër i madh i pjestarëve të opozitës iraniane.
I pyetur rreth shtimit të masave të sigurisë në vendin tonë, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme Ardi Bita deklaroi për mediat se “masat e sigurisë në vend meren në përputhje me vlerësimet e bëra nga institucionet përgjegjëse të vendit dhe të atyre partnere dhe aleate jashtë tij.
Zhvillimet e fundit në Irak dhe më gjerë në rajonin e Lindjes së Mesme, janë padyshim në qendër të vëmendjes së institucioneve tona të sigurisë. Policia e shtetit dhe agjencitë e tjera të sigurisë janë në krye të detyrës dhe të gatshme për të plotësuar detyrat e tyre në shërbim të sigurisë së vendit, duke mbajtur edhe nivelin më të lartë të bashkëpunimit me partnerët dhe aleatët”,- tha zëdhënësi.
Shtetet anëtare të BE krahas shtimit të masave të sigurisë në vendet e tyre, janë treguar të kujdesshme në qëndrimet rreth ngjarjes. Kjo ka bërë që SHBA të duket e zhgënjyer nga qëndrimi i europianëve. Sekretari Amerikan i shtetit Mike Pompeu, deklaroi se aleatët europianë “nuk ishin aq ndihmues”, sa kishte shpresuar ai.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama menjëherë pas vrasjes së gjeneralit Soleimani, deklaroi se “si një vend që njohu pak kohë më parë veprimtarinë e padrejtë të Iranit kundër botës së lirë dhe mori distancë të qartë nga ajo, Shqipëria aprovon me forcë qëndrimin e Donald Trump ndaj një aktivisti keqdashës të regjimit të Teheranit! Ne jemi të vendosur me SH.B.A. dhe shpresojmë se të gjithë ta bëjnë këtë”.