Asion Daja i ka dhënë sot lamtumirën pas tre vitesh skuadrës së Tiranës për të nisur një aventurë të re në radhët e Skënderbeut, i kërkuar me ngulm nga trajneri Ilir Daja te korçarët. Mesfushori kërkonte një sfidë të re pasi te bardheblutë do të kishte më pak hapësira për të duke llogaritur blerjet e fundit dhe oferta korçare ka qenë ajo perfekte për vazhdimin e karrierës së tij.
Ai firmosi sot me Skënderbeun, por nuk mund të largohej pa i dhënë lamtumirën siç duhej bardhebluve, pjesë e të cilëve vendosi të qëndronte edhe në vitin e vështirë në Kategorinë e Parë për t’i ndihmuar që të riktheheshin në elitë.
“Faleminderit për gjithçka @kftirana.al. Ishte krenari për mua që vesha bluzën e ekipit më të titulluar në Shqipëri për gjithë këto vite. Falënderoj presidentin, drejtuesit dhe gjithë trajnerët që kam pasur në drejtim. Një falënderim i veçantë dhe për gjithë shokët e ekipit që kam pasur sidomos për ata më të vjetrit që më kanë mbështetur në çdo moment . Forca @kftirana.al ju dua”, janë fjalët e futbollistit në rrjetet sociale kushtuar klubit kryeqytetas.