Prokurorja e Lushnjës, Natasha Prifti (Shallapi) është larguar përfundimisht nga sistemi i drejtësisë. Kolegji i Posaçëm i Apelimit, me shumicë votash, ka shkarkuar nga detyra Prifti. Prifti u konfirmua në detyrë nga KPK më 28 maj 2021, por Komisioneri Publik ankimoi vendimin.
Prifti u gjet pa probleme në vlerësimin e profesionalizmit. Ndërsa disa pasaktësi janë gjetur në lidhje me gjendjen cash të të ardhurave të saj. Nga analiza financiare prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit kishte rezultuar se bashkëshorti i prokurores, i cili kishte një aktivitet tregtar për mallra industrialë, rezultonte me mungesë burimesh të ligjshme prej 3.2 milion lekë për vitet para fillimit të bashkëjetesës. Kjo mungesë më pas prekte kursimin e deklaruar prej 4 milion lekësh dhe investimet në pasuri të luajtshme të çiftit pas martese duke krijuar disa bilance negative.
