Nga Auron Tare

Zhurmës së ardhjes së afganëve në Shqipëri po i bashkohem edhe unë me një histori të padëgjuar më parë:Për brezin tonë të viteve ’80, lufta e afganëve me sovjetikët ndiqej me shumë kureshtje. Zakonisht dëgjonim apo shikonim imazhe që vinin nga RAI i asaj kohe e vetmja portë informacioni që kishim. Me antenat gjysëm ilegale që ishin në tarracat e pallateve ndër të tjera kapnim edhe lajme që vinim nga ky vend malor i cili për çudi po i rezistonte fuqisë sovjetike.Nuk dinim shumë, por emri i Muxhahedinëve na mbeti në mendje. Pamjet e tyre me mjekra dhe armë në sup ndiznin bisedat që mosha jonë bënte mbi rezistencën guerrile që një popull mund t’i bëjë një superfuqie. Në një shkollë ushtarake si jona biseda të tilla ishin gjithsesi në rrethe të ngushta; ishte me zarar të flisje “kundër” doktrinës zyrtare. Por Muxhahedinët mbetën në memorien time si figura interesante të viteve ’80. Ndaj në 2004 kalova kufirin me Iranin për ta parë sadopak peizazhin afgan atje ku kishin luftuar dikur Muxhahedinët, por kjo është një histori më vete.Në 1998 në Tropojë takova një Muxhahedin të vërtetë! Ishte një nga takimet më interesante te karrierës sime. Për ironi të fatit ishim të dy anëtarë të ekipit britanik të televizionit Channel Four.U vendos që unë dhe gazetarja Saira Shah do të përpiqeshim të binim në gjurmët e UÇK. Asokohe UÇK ishte një emër që po lakohej gjithnjë e më shpesh, por nuk dihej ende shumë. Një mbrëmje në shtëpinë që morëm me qira (shtëpia e mjekut të nderuar tropojan Din Selimi) duke kontrolluar xhirimet që kishim bërë atë ditë, si me shaka Saira Shah qeshi dhe përmendi Muxhahedinët.Të nesërmen pranë kufirit duke vëzhguar rojet serbe që lëviznin me disa xhipa rus e pyeta Sairen se çfarë do të thoshte me atë pasazhin e mbrëmshëm mbi Muxhahedinët. Ndoshta UÇK në sytë e saj ishte një lloj organizate fetare? Duke buzëqeshur Saira Shah (e cila pas kohës së gjatë që shpenzoi në Shqipëri dhe Kosovë u bë e njohur për filmin e saj të famshëm Behind dhe Veil ku e maskuar jetoi muaj të tërë në Kabul duke dokumentuar brutalitetin e Talebanëve kundrejt grave afgane) shkurtimisht më tregoi se në vitet ’80, si gazetare ende e re kishte mundur të maskohej si djalë. U ishte bashkuar trupave Muxhahedinë në male duke dalë prej Afganistanit me disa reportazhe që e bënë atë shume shpejt një emër të njohur të gazetarisë botërore.Më vonë kur u bëmë miq të mirë, mësova shumë më tepër për aventurën e saj me Muxhahedinët dhe pjesëmarrjen në luftime ku kishte mundur të mbante edhe një ditar sekret për jetën nëpër shpella plot rreziqe. Ky ditar më vonë u bë baza e librit të saj të njohur “Storytellers Daughter”, “Vajza e rrëfimtarit”.Afganistani dhe historitë e tij sa të mrekullueshme aq edhe tragjike kanë qenë pjesë e bisedave të gjata në Tropojën e viteve ’98-’99 sëbashku me mjaft uiski të fortë skocez i cili shpërndahej bujarisht tek komshinjtë e pallatit ku ne jetonim si miq të mjekut Din Selimi dhe familjes së tij.Por ajo që doja të ndaja në këtë tregim të shkurtër është se “muxhahedini Saira Shah” vjen nga një linjë e afërt me Familjen Mbretërore Afgane, megjithëse kishte lindur dhe ishte rritur në Londër. Me të qeshur më tha që nëse Halla e saj do të kishte pranuar propozimin e Princit Shqiptar Leka, sot mund të kishim një dinasti të re Shqiptaro-Afgane.Historia ishte mjaft interesante. Dukej se ishte koha kur Leka i Shqipërisë i vendosur në Spanje po përpiqej të gjente një kandidate të mundshme me gjak mbretëror për të lidhur një krushqi dinjitoze. Ndoshta përpjekjet e tija nuk kishin dhënë rezultat dhe ndonjë i njohur i kishte treguar se në Londër gjendej një princeshë afgane që vinte nga një Familje e rëndësishme me gjak Mbretëror.Saira i kujtonte mjaft mirë përgatitjet që familja e saj kishte bërë për të pritur Princin e Shqipërisë në rezidencën e tyre në Londër. Nuk e di përse Princesha Afgane, (emrin e të cilës e kam harruar) refuzoi dorën e Lekës, ndoshta gjatësia, ndoshta prejardhja jo e mjaftueshme e gjakut Blu apo ndoshta fakti që Leka nuk kishte një Fron të vetin por fakti është që sot fatkeqësisht nuk kemi një Dinasti Afgano- Shqiptare e cila do të kishte qenë për mendimin tim një kombinim i shkëlqyer i dy popujve malorë dhe me tradita të hershme tribale.Saira Shah sot është një gazetare e jashtëzakonshme e cila ka marrë pjesë në shumë konflikte të armatosura. Është nderuar me shumë çmime prestigjioze dhe është autore e disa librave mjaft të shitur.Saira është gjithashtu vajza e filozofit të njohur Afgano-Pers, Idriz Shah i cili për herë të parë prezantoi në mënyrë analitike sufizmin në Perëndim. Për një kohë, ai u bë udhërrëfyes shpirtëror i Bitëllsave. Influenca e tij është mjaft e dukshme në eksperimentimin e tyre me muzikën orientale.Veç këtyre, Saira Shah, kjo intelektuale afgane e jashtëzakonshme ka qenë një zë i fortë në mbështetjen e kauzës kosovare duke treguar për publikun britanik vuajtjet dhe aspiratën për liri të popullit kosovar.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here