Pas atentatit të dështuar ndaj Inez Hajrullës dhe Ervis Matodashajt, është ekstraduar porositësi dhe organizatori Leonard Luzi alias Leonard Sejno. 47-vjeçari nga Vlora u arrestua në Spanjë në korrik 2024 dhe pas 4 muajsh ekstradohet në vendin tonë si i akuzuar për atentatin ndaj Hajrullës dhe Ervis Matodashajt në gusht 2023.
“Ekstradohet nga Spanja, shtetasi Leonard Luzi alias Leonard Sejno, i cili akuzohet nga GjKKO-ja se organizoi vrasjen e 2 shtetasve në Vlorë (krim i parandaluar si rezultat i ndërhyrjes së Policisë). Shtetasi Leonard Luzi alias Leonard Sejno, u arrestua në Spanjë, gjatë operacionit të koduar “Rekrutuesi”.
Si rezultat i bashkëpunimit mes autoriteteve të Shqipërisë dhe Spanjës, në zbatim të marrëveshjes së ekstradimit, u ekstradua nga Spanja, shtetasi Leonard Luzi alias Leonard Sejno, 47 vjeç, i lindur në Vlorë. 47-vjeçari akuzohet se në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të grupit kriminal, kishte organizuar vrasjen e shtetasve Ervis Matodashaj dhe Inzez Hajrulla.
Ky krim u parandalua nga Policia, pasi shtetasi Amarildo Nikolli u arrestua para se të kryente vrasjet. Shtetasit Amarildo Nikolli, në momentin e arrestimit, iu sekuestrua pistoleta me fishek në fole, e gatshme për qitje”, njofton policia.