Dështim që shitet si sukses e ka quajtur Partia Demokratike paketën anti-KÇK të prezantuar nga kryeministri Edi Rama.
Sekretari i Përgjithshëm i demokratëve, Gazment Bardhi në një daje për mediat thotë se është një krekosje që nuk sjell siguri dhe as para për shqiptarët.
“Shqiptarët e dinë mirë që shfaqjet propagandistike dhe krekosjet e kota nuk do ta rikthejnë sigurinë e vërtetë në rrugët tona, fjalët boshe të një Kryeministri të lidhur me krimin nuk do ta ringjallin ekonominë dhe as nuk do të sjellin lekë për xhepat e boshatisura të shqiptarëve nga korrupsioni dhe keqqeverisja e tij. Rikthimi i modelit të shtetit policor, i rrëzuar më parë si antikushtetues, është tentativë e qartë për të penguar dhe ndërhyrë në punën e SPAK dhe BKH, në ditën e ngritjes së tyre, për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin mes zyrtarëve të lartë dhe politikanëve”, thotë Bardhi.
Sipas tij, ligji është një mashtrim që synon të nënshtrojë drejtësinë dhe të pengojë veprimin e saj kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke krijuar zyrtarisht shtetin policor.
Bardhi thotë se ligji i Ramës minon SPAK dhe BKH. “Në ditën e ngritjes së tij, SPAK ka përballë të njëjtin kundërshtar që e pengoi për 3 vjet me rradhë. Me një shfaqje qesharake propagandistike, Edi Rama, njoftoi dublimin me ligj të SPAK-ut dhe BKH-së, duke i dhënë policisë kompetenca që Gjykata Kushtetuese ia rrëzoi 4 vjet më parë. Në thelb, ligji RKÇK – Rama Kap ÇA T’KAPËSH – nuk ka asnjë masë të re domethënëse nga ligjet ekzistuese kundër krimit të organizuar dhe mafias. Masat e prezantuara janë sot ose në Kodin Penal, ose në ligjin antimafia”, tha Bardhi më tej.
