Për herë të parë, Shqipëria vendos një sistem dhe filter kontrolli për donacionet dhe sponsorizimet.
Projektligji i publikuar në konsultim publik parashikon përjashtimin e personave të dënuar për korrupsion, pastrim parash, evazion fiskal, si edhe kompani në falimentim apo likuidim të japin donacione.
Ligji parashikon gjithashtu ndalimin e financimeve anonime, ndërsa veprimtaritë e lidhura me lojërat e fatit përjashtohen nga sponsorizimi i organeve publike ose u kufizohet reklamimi.
Çdo sponsorizim do të bëhet vetëm me kontratë të shkruar, ku përcaktohen qartë vlera, kohëzgjatja, qëllimi dhe niveli i reklamimit të sponsorizuesit. Përpara firmosjes, kërkohet një paketë e gjerë dokumentesh që vërtetojnë pastërtinë ligjore dhe financiare të sponsorizuesit, për të shmangur konfliktin e interesit dhe burimet e dyshimta.
Një risi kryesore është krijimi i Regjistrit Kombëtar Elektronik të Donacioneve dhe Sponsorizimeve, që do të administrohet nga Tatimet. Donacionet mbi 500 mijë lekë dhe të gjitha sponsorizimet do të regjistrohen detyrimisht, ndërsa organet ligjzbatuese do të kenë akses të plotë për kontroll.
Ligji parashikon gjithashtu lehtësi tatimore, veçanërisht për sponsorizimet në art, kulturë dhe sport, ku zbritja nga tatimi mbi fitimin shkon deri në 30%. Në të njëjtën kohë, vendosen sanksione të rënda për fshehje, deklarime të rreme apo pranime të paligjshme sponsorizimesh.
Ne projektligj thuhet se ky draft erdhi si pjesë e angazhimeve të vendit në procesin e integrimit evropian dhe zbatimin e strategjive kundër korrupsionit, duke synuar përmirësimin e transparencës, llogaridhënies dhe integritetit të institucioneve publike.
