Ministria e Jashtme e Greqisë ka reaguar pas votimit në Parlamentin shqiptar të Ligjit për pronat. Sipas ministrisë së Jashtme greke, kjo përbën një shans të humbur për zgjidhjen e çështjes.
“Votimi nga ana e Parlamentit Shqiptar, të ligjit mbi çështjen e pronave, përbën një shans të humbur për zgjidhjen e drejtë dhe përfundimtare të një problemi që mundon qytetarët Shqiptarë, përfshirë këtu edhe anëtarët e Minoritetit Etnik Grek”, thuhet në reagim.
Po ashtu ministria e Jashtme thotë se ky vendim u miratua pa marrë parasysh vlerat dhe të drejtat themelore, ndërsa zbatuan në mënyrë të pjesshme rekomandimet e Venecias.
“Autoritetet Shqiptare zgjodhën për t’i dhënë ‘’zgjidhje ‘’ pa marrë parasysh vlera dhe të drejta themelore. Zbatuan në mënyrë të pjesshme Opinionin e Komisionit të Venecias të dt. 14 tetor 2019, i cili theksonte se ‘’dispozitat e projekt Ligjit janë të paqarta dhe të papajtueshme me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, zbatimi i mundshëm i tyre do të përbënte shkelje të së drejtës së pronësisë’’.
Megjithëse në momentet e fundit u bënë disa përmirësime, problemet kryesore mbetën edhe tek Ligji që u votua.
Presim nga Autoritetet Shqiptare të mbrojnë në mënyrë efektive të drejtën e pronësisë dhe të pronës, një çështje kjo, që përfshihet në bërthamën e ligjeve kryesore të së Drejtës Europiane”, thuhet në reagimin e ministrisë.
Më tej ministria sqaron se “sanksionimi i kësaj të drejte do të përbejë gurin e provës, në kontekstin e marrjes së vendimeve për hartimin e kuadrit negociues dhe thirrjen e konferencës së parë ndërqeveritare për hapjen e negociatave për integrimin e Shqipërinë”