Superliga e Europës nuk është më vetëm një teori, por një projekt i detajuar i cili do të vihet në zbatim së shpejti. 12 klubet elitare në kontinent kanë deklaruar gatishmërinë që t’i bashkohen këtij aktiviteti të ri, duke dekretuar edhe mënyrën se si do të funksionojë, e që qartësisht bie ndesh me Ligën e Kampioneve dhe parashikohet që të ketë luftë nga UEFA dhe kampionatet.
“Dymbëdhjetë nga klubet elitare të futbollit kanë vendosur të lajmërojnë se kanë rënë dakord të ndërtojnë një kompeticion të ri në mesjavë, Superligën, të menaxhuar nga klubet themeluese.
Arsenal, Atletiko Madrid, Çelsi, Barcelona, Inter, Juventus, Liverpul, Mançester Siti, Mançester Junajtid, Milan, Real Madrid dhe Totenhem, janë bashkuar si klubet themeluese.
Parashikohet që edhe tre klube të tjera të bashkohen para sezonit inaugurues, i cili do të nisë sapo të jetë e mundur. Klubet themeluese presin me padurim të zhvillojnë bisedime me UEFA dhe FIFA për të punuar bashkë në zhvillimin e futbollit”, shkruhej ndër të tjera në këtë komunikatë që u shpërnda nga klubet në fjalë dhe ku detajohej edhe mënyra si do të funksiononte kjo ligë e re. “Do të jenë 20 klube pjesëmarrëse me 15 klubet themeluese dhe një mekanizëm kualifikues për 5 klubet e tjera në varësi të arritjeve në sezonin paraardhës. Ndeshjet do të jenë në mesjavë me klubet që do të vazhdojnë të marrin pjesë në aktivitetet e tyre kombëtare, duke ruajtur kalendarin e aktiviteteve kombëtare që qëndrojnë në bazën e të gjitha kompeticioneve të klubeve. Turneu nis në gusht, me klubet e ndara në dy grupe nga 10 skuadra, që luhet me sistem me vajtje-ardhje, ku tre të parat e çdo grupi sigurojnë automatikisht praninë në çerekfinale. Ndërsa skuadrat në vendin e katërt dhe të pestë do të luajnë dy ndeshje play-off për të plotësuar çerekfinalistet. Një format me ndeshje vajtje-ardhje do të vazhdojë deri në finalen e majit që do të luhet me një takim në një stadium neutral”, theksohej në komunikatën e publikuar nga të gjithë klubet pjesëmarrëse, të cilat kishin vendosur që president të parë të emërohej Florentino Perez i Real Madrid, me Andrea Anjelin e Juventusit dhe Xhoel Glejzër të Mançester Junajtid si zëvendëspresidentë.