Nga Lindita Kokaj

7 Marsi le të jetë një ditë homazhi për mësuesit që nuk jetojnë më, dhe ditë lutje për të gjithë ne. Vetëm pak ditë pasi mësuesit kremtuan diten e tyre në marsin e vitit 2020, u shfaqen rastet e para të përsonave të infektuar me Covid 19 në vendin tonë, dhe vendi u fut në karantinë. Prej 1 viti mësuesit janë përballur me sfida të reja, duke luajtur një rol kyç jo vetëm në aspektin arsimor-edukativ por edhe në atë psikologjiko-social. Paralelisht me mësimdhënien gjatë këtij viti, mësuesve u është dashur që të trajnohen edhe për platforma të ndryshme për mësimdhënien online, për t’i pervetsuar dhe zbatuar ato, kjo ka qënë një tjetër sfidë e madhe. Ashtu si bluzat e bardha, po aq i shenjtë dhe i rëndësishëm ka qënë dhe është misioni i mësuesit në këtë periudhë kur pandemia po shkakton jo vetëm plagë të mëdha në familjet shqiptare, për shak të vdekjeve si pasojë e prekjes nga virusi, por edhe në aspektin psikologjik të përsonave. Mësuesit i është dashur të sfidojë dhe të përballojë betejat me Covid, duke rrezikuar ndoshta edhe jeten e tij dhe familjarëve të tij. Të zgjohesh në mëngjes me shpresen dhe lutjen, që virusi të mos ketë prekur familjen tënde, nxënësi, kolegët dhe miqtë, duke harruar madje edhe veten dhe veten e rendit të fundit në lutjen tënde. Të nisesh për në punë duke u dhënë puthjen e mëngjesit fëmijëve, me shpresën që të mos i injektosh virusin apo për të mos qënë puthja e lamtumirës, sic ka ndodhur me sa e sa mësues. Me të arritur në shkollë, shikon duke bërë një apel me mendje të nxënësve dhe kolegëve të tua, dhe dita nis pozitivisht kur konstaton se asnje prej tyre nuk mungon. Në ato raste kur syrit tënd, i mungon ndonjë prej tyre bën një lutje në heshtje që ta kalojë sa më lehtë dhe pa pasoja flamen e mallkuar të Covid 19. Rrëmben bluzen e bardhë nga varësja dhe gjen forcë për të buzëqeshur në cdo rast me kolegët dhe nxënësit duke uruar një ditë të mbarë mësimi. Nuk ka sesi t’i shmangemi diskutimëve qoftë me nxënësit dhe kolegët për situaten, ku krahas mësimit vend zënë edhe këshillimet me nxënësit si mësuese dhe si prind për të respektuar masat anti-Covid. E ti trishtohesh kur mëson se virusi mund të ketë prekur ndonjë koleg/e apo nxënës/e , por edhe familjarë të tij/e saj, si një familje e madhe që jemi. Zilja e përfundimit të mësimit bie me shpresën që nesër ta dëgjojmë sërish të gjithë si një ogur shprese. Rikthehemi në shtëpi duke qënë ende në ankth se si mund të jenë familjarët e tu, dhe lumturohesh kur shikon që ata janë mirë dhe gjen forcë për t’i mbështetur, dhënë kurajo apo shërbyer kur ndonjë prej tyre nuk ndjehet mirë. Sa e sa kolegë në vendin tonë nuk ia dolën dot të fitonin betejen, dhe ky 7 mars le të jetë një ditë homazhi dhe lutje për shpirtrat e tyre Sa e sa familjarë të mësuesve na dhanë lamtumirën dhe prehen në amshim, sërish ky 7 mars le të jetë një ditë homazhi për ta. Sa e sa prindër e familjarë të nxënësve tanë janë sot në parajsë po për shkak të Covid, ky 7 mars le të jetë dhe një ditë homazhi për ta. Ky 7 mars 2021 vazhdon të jetë ndryshe pa ceremoni e organizime, por në altarin e kësaj feste të bekuar le të bashkohemi në lutje me shpresë dhe besim për të gjithë mësuesit, nxënësit dhe familjet e tyre, të cilët janë të prekur nga ky virus, që ta kalojnë sa më lehtë dhe për një rikuperim të shpejtë të tyre. Ky 7 mars le të jetë një ditë shprese, besimi e lutje se e nesermja do të jetë e çliruar nga armiku i padukshëm Covdi 19, për ne, për nxënësit dhe familjet tona dhe për mbarë globin. “ Thumbat” e Koronaviruesit mund ta lëndojnë mësuesin por jo t’i prekin kurrë zemren, pasi ai është një hero, dhe misioni i tij i shenjtë. (Shënim: Fotot nga nxëneset lezhjane)

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here