Policia e Kosovës ka arrestuar për pak orë deputetin e Kosovës Dardan Molliqaj, duke e liruar në mesditë. Ai është edhe bashkëshorti i ministres së Arsimit, Besa Shahini.
Lajmin për lirimin e Molliqajt e ka konfirmuar zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi.
“Rasti ishte dërguar në Prokurori. Deputeti Molliqaj tashmë është liruar me procedurë të rregullt”, ka thënë zëdhënësja e PSD-së për kp.
Sipas Policisë, gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar dje një urdhër arrest për Dardan Molliqajn.
Ai u arrestua në lidhje me pjesëmarrjen në protestë pas arrestimit të liderit të VV-së, Albin Kurti, në vitin 2015. Molliqaj në atë kohë ka qenë sekretar organizativ dhe njëri ndër njerëzit kryesorë në VV.
Më herët, lajmin për arrestimin e Molliqajt e ka bërë të ditur, subjekti i tij politik PSD, me anë të një njoftimi në “Facebook”.
Lexo edhe- Besa Shahini nga dasma rikthehet në detyrë
Sipas PSD-së, Molliqaj ‘është arrestuar në banesën e tij dhe nuk ka qenë i paralajmëruar më herët për seancë apo paraqitje ne gjykatë’.
“Molliqaj është arrestuar nën arsyetimin për pjesëmarrje në protestën për lirimin e deputetit Albin Kurti, në vitin 2015.
Arrestimi i deputetit në fjalë ka qenë në kundërshtim me liritë dhe të drejtat e njeriut dhe në shkelje të plotë të procedurave ligjore. Për këtë arsye, ajo protestë ka qenë e drejtë dhe e nevojshme”, thuhet në njoftimin e PSD-së.
Partia e tij, kërkon lirimin e deputetit Molliqaj.
“Partia Socialdemokrate kërkon lirimin e menjëhershëm të deputetit Dardan Molliqaj.
PSD është për shtet të së drejtës, ku respektohet liria për protestë dhe kritikë.
Prandaj, për ne është e papranueshme çfarëdo përpjekje për cenimin e tyre”, thuhet më tutje në njoftim.
Dardan Molliqaj kurorëzoi në martesë dashurinë e tij me ministren Besa Shahini, vetëm pak javë më parë.
