Për ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj përgjimet e publikuara nga prestigjiozja Bild nuk prishin imazhin e Shqipërisë.
Duke folur për DW, Lleshaj tha se është një situatë që duhet të merret me qetësinë e duhur pasi çështja është në hetim.
“Me thënë të drejtën nuk besoj që një publikim i tillë prish imazhin e Shqipërisë, sepse Shqipëria është më e madhe sesa një rast i shkëputur i ndikimit të një përgjimi të caktuar, këtë dua ta ndaj. Sigurisht që asnjë lajm sado i vogël të jetë që nuk është pozitiv nuk i pëlqen askujt, po besoj që çështja ka nevojë të merret me qetësinë e duhur, për arsye se bëhet fjalë për një çështje në proces hetimor. Kjo është thjesht një rrjedhje e paautorizuar nga një proces hetimor në zhvillim. Ne duhet të presim fundin. Nuk duhet të kërcejmë tek konkluzionet shumë herët se kam frikë se i bëjmë dëm gjithë procesit”, tha Lleshaj.
Për ministrin përgjimet nuk janë prova por indicie që të çojnë tek provat. “Unë mendoj që ajo që është publikuar në median gjermane është pjesë e një dosje hetimore që po zhvillohet dhe përgjithësisht përgjimet nuk janë prova po indicie që të çojnë te provat kështu që do presim të sqarohet përfundimisht nga organet përkatëse ligjore të cilat po e hetojnë”, tha ai.