Përgjegjësi politike apo individuale për inceneratorët?! Deklarata e fortë e ish-ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani, i cili bëri përgjegjës LSI-në për inceneratorët ka trazuar jo pak ujërat në partinë e Monika Kryemadhit.
Kërkesa publike e ish-ministrit te LSI, Ylli Manjani për përgjegjësi politike nga partia dhe jo vetëm “kryqëzim” të Lefter Kokës ka nxitur reagimin e ashpër të anëtares së Kryesisë Elona Guri i cila i kujton skandalet në kohën kur Ministria e Drejtësisë drejtohej nga Lëvizja Socialiste për Integrim.
“LSI ka aq përgjegjësi për marrëveshjet mafioze të inceneratorëve, aq sa ka me licencat e noterëve dhe dyqanet e burgjeve!”, shkruan Guri në rrjetet sociale duke akuzuar ish-ministrin e Drejtësisë në kohën kur LSI drejtonte këtë ministri.
Më herët Ylli Manjani i kujtonte kryetares së LSI-së Monika Krymadhi se në qeverinë Rama 1 nuk ka qenë vetëm Lefter Koka ministër Mjedisi, por ka pasur edhe ministra të tjerë nga radhët e LSI-së anëtarë te kabinetit të cilët nuk e kundërshtuan projektin e inceneratorëve, duke kërkuar përgjegjësi politike për këtë çështje nga të gjithë.
“Gjykoj se LSI mban përgjegjësi politike. LSI minimalisht kishte në dorë ta ndalte këtë masakër mjedisore, urbane, buxhetore dhe anti-integrim, por nuk e bëri! Mirë u çmend Lefteri, po të tjerët pse e lejuan që qeveria të vendosë brenda ditës?! Pse u lejua të shkelej dokumenti strategjik për trajtimin e mbetjeve?! Pse u lejua shkelja e angazhimeve të marrëveshjes së Stabilizim Asocimit?! Kjo e fundit për LSI kishte në shumë kuptim se asgjë tjetër. LSI nuk ndali në fakt asgjë nga këto të liga anti-europë e anti-integrim të modelit Edi Rama, që po përjetojnë sot shqiptarët. Kur them LSI, fus dhe veten time për aq sa më takon në këtë përgjegjësi. Kjo është e vërteta, me të cilën nuk mund të luhet për asnjë arësye mendoj unë. As për të bërë Opozitë. Nuk është e thënë të jesh peng i të shkuarës, por distancimi nga ajo bëhet më i besueshëm me një ndjesë si fillim dhe, në vijim me një plan rikuperimi”, tha Manjani më herët.