Në 35-vjetorin e krijimit të degës lokale të Partisë Socialiste në Bulqizë, i pranishëm ishte edhe ish-deputeti Luan Rama. Në krah të Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Blendi Klosi, dhe drejtuesit politik të qarkut Dibër, Ulsi Manja, Rama u shpreh i nderuar për ftesën dhe pjesëmarrjen në festën e socialistëve të Bulqizës.
“Sot, 30 vjet pas masakrës së pushtetit të 28 majit 1996, historia e Partisë Socialiste na thërret të mos harrojmë. Kam pasur fatin e madh, por edhe përgjegjësinë, të jem deputeti i parë që përfaqësoi Bulqizën në Kuvendin e Shqipërisë si deputet i Partisë Socialiste”, deklaroi ai.
Në fjalën e tij, Luan Rama rikujtoi një nga ngjarjet më të rënda të asaj periudhe në Bulqizë: hedhjen në humnerë të kryetarit të PS-së së rrethit, Muharrem Kola, vetëm sepse nuk tregonte vendndodhjen e kandidatit socialist.
“E hodhën nga shkëmbi dhe më pas e gjeti një çoban. E dërguam në qendrën shëndetësore të Shupenzës, por prej andej Policia dhe SHIK-u e morën dhe e izoluan në spitalin e Burgut në Tiranë. Nëse ngjarja nuk do të ishte bërë publike nga mediat, sot ai nuk do të ishte gjallë”, u shpreh Rama.
“Ne, themeluesit dhe drejtuesit e PSSH-së nga krijimi deri në vitin 2005, mund të kemi bërë edhe gabime dhe mund të mos kemi përmbushur çdo pritshmëri, por një gjë e bëmë me përkushtim: ia mbrojtëm nderin Partisë Socialiste dhe nuk lejuam që emri i saj të përballej me drejtësinë”, deklaroi ish-deputeti i Bulqizës.
