Fëmijët e Rripit të Gazës e dinë shumë mirë se çfarë është vuajtja. Që nga lindja, ata kanë jetuar nën një bllokadë të pjesshme izraelite, në varfëri dhe dhunë.
Dhe tani, me përshkallëzimin e konfliktit, vuajtjet e tyre ka të ngjarë vetëm të përkeqësohen.
Dr. Iman Farajallah, një psikolog në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Dr Mamoun Mobayed, një psikiatër në Katar, kanë përvojë të gjerë rreth traumave të fëmijërisë.
Al Jazeera i pyeti ata për luftën e Izrael-Hamas dhe efektet që shkakton në shëndetin mendor të fëmijëve që jetojnë në Rripin e Gazës.
Si ndikon jeta në Rripin e Gazës në shëndetin mendor të fëmijëve?
Farajallah, i lindur dhe i rritur në Gaza përpara se të transferohej në Kaliforni dy dekada më parë, e di se si është të jetosh nën “pushtimin izraelit”.
“Kjo është arsyeja pse u bëra psikologe – për të ndihmuar të tjerët që jetojnë me trauma,” tha ajo.
Në një punim kërkimor botuar vitin e kaluar mbi ndikimin e luftës tek fëmijët palestinezë, ajo zbuloi se fëmijët që u mbijetojnë luftërave nuk dalin të padëmtuar dhe mund të paguajnë një çmim të lartë psikologjikisht dhe emocionalisht.
Studimi i saj zbuloi se 95 për qind e fëmijëve nga Rripi i Gazës shfaqën simptoma të ankthit, depresionit dhe traumës.
“Ata shikojnë anëtarët e familjes, fqinjët dhe miqtë e tyre duke u vrarë, kjo shkakton zemërim dhe zhgënjim. Kanë prirje të jenë më agresivë dhe vuajnë nga depresioni, ankthi dhe çrregullimi i vazhdueshëm i stresit traumatik”, tha ajo.
Çfarë efekti ka varfëria dhe infrastruktura e dobët?
“Ata nuk jetojnë jetën tipike të fëmijëve,” tha Farajallah.
Shumë fëmijë në Gaza nuk janë në gjendje të ndjekin shkollën rregullisht dhe kanë akses të kufizuar në furnizimet thelbësore shkollore” u shpreh ajo.
A bëhen fëmijët imun ndaj këtyre kushteve me kalimin e kohës?
Mobayed, i cili ka udhëtuar në Palestinën e pushtuar që nga viti 2002 si vullnetar me Shoqërinë e Gjysmëhënës së Kuqe të Katarit, tha se “njerëzit nuk bëhen imunë ndaj traumave dhe vdekjes”.
“Ata mund të arrijnë një gjendje pafuqie të mësuar. Është një gjendje dëshpërimi ku kuptohet se çdo gjë që ata bëjnë është e paefektshme, ata nuk mund t’i shpëtojnë situatës, ata janë të bllokuar”, tha Mobayed.
A mund të zhbëhet ndonjëherë trauma e lidhur me luftën?
“Nga përvoja ime – do të thosha jo”, u shpreh Farajallah. “Por ne mund të punojmë për të zhbërë disa nga dëmet e shkaktuara, për të zhvilluar pranimin, për të ndërtuar elasticitet dhe për të vazhduar jetën.”/ Përshtatur nga Al Jazeera.