Lufta në Iran po godet furnizimet me fëstëkë, duke çuar çmimet në nivelet më të larta të viteve të fundit, pikërisht në një kohë kur kërkesa globale për produkte me bazë këtë arrë është rritur ndjeshëm.
Konflikti, që ka ndikuar në rrugët e transportit dhe tregtinë rajonale, po e vështirëson eksportin nga Irani, një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë dhe po ushtron presion mbi një treg që tashmë ishte i kufizuar.
“Është si lojë fati, nuk e dimë me çfarë çmimi të shesim”, tha Behnam Heydaripour, drejtues i kompanisë londineze të tregtimit Borna Foods, për Financial Times.
Irani përbën rreth një të pestën e prodhimit global të fëstëkëve dhe deri në 25%-30% të eksporteve botërore në disa vite, sipas Departamentit Amerikan të Bujqësisë. Por tregtarët thonë se transportimi i prodhimit është bërë gjithnjë e më i vështirë për shkak të luftës SHBA-Izrael kundër Iranit, që po pengon logjistikën në Lindjen e Mesme.
Çmimet e fëstëkëve arritën rreth 4.57 dollarë për paund në mars, niveli më i lartë që nga viti 2018. Kërkesa është nxitur pjesërisht nga popullariteti global i “çokollatës Dubai”, çokollata të mbushura me krem fëstëku dhe petë të holla, që u bënë virale në vitin 2023 duke rritur interesin për produktet me shije fëstëku.
Megjithatë, furnizimi ishte nën presion edhe para konfliktit. Prodhimi i vitit 2025 në vendet kryesore si SHBA, Turqi dhe Irani rezultoi më i ulët se pritshmëritë, ndërsa në Iran u godit nga thatësira.
Eksportet iraniane janë kufizuar gjithashtu nga sanksionet dhe trazirat e brendshme. Ndërprerjet periodike të internetit e kanë bërë më të vështirë komunikimin me blerësit ndërkombëtarë, duke ngadalësuar tregtinë.
“Është e vështirë të komunikosh me furnizuesit në Iran, pasi interneti është ndërprerë. Ata nuk mund t’u përgjigjen email-eve”, tha Heydaripour.
Lufta i ka përkeqësuar këto probleme. Linjat detare kanë anuluar ose ndryshuar itineraret, duke shkaktuar vonesa dhe rritje kostosh. Transporti drejt tregjeve kryesore, si Lindja e Mesme dhe India, është prekur ndjeshëm.
Megjithëse armëpushimi ka ndalur përkohësisht luftimet, SHBA dhe Irani vazhdojnë bllokimet në Ngushticën e Hormuzit, duke penguar trafikun tregtar dhe duke ndikuar në furnizimet globale me energji dhe mallra.
Lindja e Mesme luan rol kyç në tregtinë e fëstëkëve, si konsumator dhe si nyje tranziti. Sasi të mëdha të prodhimit iranian kalojnë zakonisht përmes Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Turqisë përpara se të arrijnë në tregjet globale.
Ndërkohë, importuesit po kërkojnë alternativa, veçanërisht nga SHBA, që përbën rreth 40% të prodhimit global. Por furnizimet amerikane janë pothuajse të shitura.
“Po përpiqemi të zëvendësojmë fëstëkun iranian me burime të tjera, por ka problem. Fëstëkët iranianë kanë përmbajtje më të lartë vaji, gjë që ndikon shumë në shije”, tha Heydaripour.
Ai shtoi se për produkte si bakllavaja, zëvendësimi nuk funksionon.
“Kur përdoret fëstëku amerikan në furrë, rezultati është më i thatë dhe i djegur.”
Kërkimi për alternativa po reflektohet edhe në çmime, me rritje në disa tregje në Lindjen e Mesme dhe Indi.
Megjithatë, tregtarët mbeten optimistë se furnizimet iraniane do të rikthehen.
“Iranianët gjithmonë gjejnë një mënyrë”, përfundoi Heydaripour.
