Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock skicon kushtet për një paqe të qendrueshme. Ndërsa ambasadori ukrainas dëshiron armët më moderne gjermane.
Tërheqja e të gjitha trupave ruse nga Ukraina është sipas ministres së Jashtme gjermane Annalena Baerbock kushti për një paqe të qendrueshme në Europë dhe për fundin e sanksioneve kundër Rusisë. “Një paqe në kushtet, që ka diktuar Rusia, nuk do të sjellë as në Ukrainë dhe as në Europë sigurinë e shumëpritur”, tha Baerbock për gazetën “Bild am Sonntag”. Në rastin më të keq kjo do të nënkuptonte ftesën për një luftë tjetër – edhe më pranë kufijve gjermanë.
Putin e ka shkatërruar në mënyrë të pakthyeshme rendin e paqes në Europë. Një rrugë kthimi përpara 24 shkurtit nuk ka: “Ne kurrë më nuk mund të kemi besim vetëm tek premtimet e Putinit.” Ndaj tani duhet ndihmuar Ukraina, që ajo të mbrohet prej ndërhyrjes ruse dhe sulmeve të ardhshme. “Paqe të vërtetë do të ketë sërish vetëm kur të gjithë në Europë do ta kuptojnë, që në një luftë në fund nuk ka asnjë vend fitues, por që të gjithë janë vetëm humbës”, tha Baerbock për gazetën Bild.
