Drejtori ekzekutiv i kompanisë së njohur “Lufthansa”, Carsten Spohr, i tha gazetës “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung” se ka një rënie të madhe të numrit të rezervimeve, veçanërisht në periudhën nga mesi i janarit deri në shkurt.
“Mungesa më e madhe shënohet tek pasagjerët tanë në Gjermani, Zvicër, Austri dhe Belgjikë, sepse këto vende janë goditur më rëndë nga vala e pandemisë”, tha ai.
Sipas Spohr, “Lufthansa” po kryen vetëm 60% të fluturimeve në krahasim me vitin para pandemisë 2019, me “afërsisht gjysmën” e numrit të pasagjerëve.
“Për shkak të kërkesës së reduktuar në janar, ne do të kishim anuluar shumë më tepër fluturime. Por ne na duhet të kryejmë 18,000 fluturime të panevojshme, vetëm për të siguruar të drejtat e ngritjes dhe uljes”, u ankua Spohr.
“Lufthansa” është grupi më i madh i linjave ajrore në Evropë dhe përfshin Eurowings, Austrian, Swiss dhe Brussels Airlines.
Në tremujorin e tretë të këtij viti “Lufthansa” arriti për herë të parë të fitojë, pas një periudhe të vështirë pandemike.
Shumë pilotë të sëmurë
Për shkak se në këtë periudhë një numër pilotësh janë të sëmurë apo të shqetësuar për variantin “Omicron”, kompania ka pezulluar edhe mjaft fluturime gjatë dy javëve të ardhshme. Ndër të bëjnë pjesë fluturime për në Boston, Hjuston dhe Uashington, si dhe disa fluturime për në Japoni.
Një përfaqësues i kompanisë i tha agjencisë gjermane të lajmeve “dpa” se “Lufthansa” ka shumë pilotë dhe personel rezervë, “por ata nuk janë të mjaftueshëm, duke pasur parasysh shkallën jashtëzakonisht të lartë të sëmundjeve”.
Edhe agjencitë ajrore amerikane, “United Airlines” dhe “Delta Air Lines” anuluan përkatësisht 120 dhe 90 fluturime, për shkak se ekuipazhi i tyre është prekur nga varianti “Omicron”.
Linja ajrore suedeze “SAS” tha se gjithashtu do të anulojë disa fluturime, për shkak të virusit. “Ryanair” gjithashtu ka shkurtuar fluturimet për muajin janar me 33%.
Kurse disa linja ajrore që operojnë brenda Evropës po regjistrojnë rritje të forta në periudhën e Krishtlindjeve këtë vit. “Easyjet”, “Ryanair”, “SAS” dhe “Wizz Air” po ofrojnë më shumë fluturime. /DW