Luzia Xhuvani, aktorja e njohur shqiptare, njëherësh ish-deputete e dorëhequr e zonës pak vite më parë, vijon ende aktivitetin skenik. Paçka disa goditjeve të rënda në jetën private, ku e fundit qe ndarja nga jeta e bashkëshortit të saj, regjisorit të njohur Gjergj Xhuvani, ajo nuk e ka ndërprerë raportin e saj me skenën, që është në fakt më shumë se profesion për të, identiteti bazë i saj jetësor.
Megjithatë, ajo u ka qëndruar larg mediave. Në një rrëfim, Xhuvani ka zbuluar se në fakt ajo sot do të ishte një mjeke ose inxhiniere, por për shkak të biografisë së keqe e cila në kohën e diktaturës i kufizonte të rinjtë të studionin, u be aktore.
“Shkak që jam sot aktore, në mënyrë paradoksale, m’u bë edhe biografia. Kam jetuar e ndarë nga im atë, kam jetuar vetëm me nënën. Kam ndier mungesën e tij fizike, por jo atë shpirtërore. Kam gëzuar mbiemrin e tij. Për fatin tim të keq, vëllai i tim eti, dikur partizan, është pushkatuar nga regjimi komunist. Mbase do të kisha dashur të vijoja për një degë tjetër, Mjekësi apo Inxhinieri, por e vetmja mënyrë ishte të konkurroja dhe të gjitha të tjerat do të më ishin refuzuar.
Konkurrova, fitova… Më kujtohen dy anëtarë jurie që më pas u bënë pedagogët e mi, Timo Flloko dhe Skënder Plasari. Më kanë shoqëruar me shumë dashuri ato kohë e deri në vitet që flasim. I kam bërë studimet në vitet ’82’86. Megjithëse kohë shumë e vështirë për ne që ishim konviktorë dhe që mua vazhdonte të më përmendej historia e biografisë, por përsëri them që kanë qenë 4 vitet më të bukura të jetës sime.
Më dukej ëndërr që po studioja për aktore, ishte fat shumë i mirë. Një student, që të funksionojë, duhet të adhurojë pedagogët e vet dhe unë e pata këtë fat. Ata ishin Timo Flloko, Drita Pelinku, Vera Zheji dhe Kadri Rroshi”, shprehet Luiza xhuvani.
