Lideri autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenko, ka thënë se është duke bërë gjithçka që mundet për të ndihmuar në dhënien fund të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, e cila është “zvarritur” më gjatë sesa e ka menduar ai.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve, Associated Press, të publikuar më 5 maj, Lukashenka ka thënë se Kievi ka “provokuar” Moskën, teksa ka komentuar pushtimin rus në Ukrainë. Ndonëse nuk ka dhënë hollësi sesi Ukraina e ka provokuar Rusinë para nisjes së luftës, Lukashenko ka thënë se ka informacione që tregojnë se Ukraina ka planifikuar të sulmojë edhe bjellorusët.
Lideri bjellorus i ka ndihmuar Rusisë në këtë konflikt duke ia lënë të lirë territorin e shtetit për të nisur sulme në tokën ukrainase. Lukashenko është kritikuar nga komuniteti ndërkombëtar, prej kur ka pretenduar fitore në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, të cilat opozita i konsideron të manipuluara.
Lideri bjellorus – i cili është në pushtet nga viti 1994 – është përballur me protesta masive, të cilat ka tentuar t’i shuajë përmes taktikave të ashpra. Lukashenka, 67-vjeçar, ka thënë për AP-në se është duke bërë “gjithçka” që mundet për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.