Lulzim Basha ka zhvilluar një bisedë me një grup të rinjsh mbi zhvillimet politike, programin e prezantuar më 1 qershor dhe organizimin për zgjedhjet e ardhshme politike. Duke komentuar vendimin e 11 qershorit për vulën, Basha tha se ishte një pazar midis të vjetrës për të vijuar ujditë politike dhe ekonomike.
“Kjo është një betejë mes të vjetrës dhe të resë. Ajo që ka ndodhur më 11 qershor, është hiç më pak sesa një mirëkuptim dhe një pazar midis të vjetrës. Midis kryeministrit dhe ish-kryeministrit. Dhe të jem fare i drejtpërdrejtë, menjëherë pas protestës së shkurtit, erdhi pazari për amnistinë”, tha Basha.
Kreu i Demokratëve Euroatlantikë e cilëson një teatër politikë debatet politike mes PD dhe mazhorancës. “Asgjë nuk i pengon të bëjnë pazar për interesat e tyre, kundër interesave të shqiptarëve. Pjesën tjetër e kanë teatër. Shqiptarët i trajtojnë si spektator të këtij teatri, që duhet të paguajnë biletën gjithmonë e më shtrenjtë, sepse ndërkohë kanë filluar të zbrazen rradhët e spektatorëve”.
Në fund Basha tha se problemet e shqiptarëve nuk zgjidhen nga kasta e vjetër politike, por duhet një hapur një rrugë e re, një kulturë e re politike, për të ardhmen e Shqipërisë.
