Nga Lutfi Dervishi
Opozita që nuk mori pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit ka deklaruar fitoren. Partia Socialiste u fut pothuaj e pasfiduar në këto zgjedhje dhe deklaroi fitoren e 61 bashkive nga 61 bashki që ka vendi. Presidenti deklaroi fitoren duke mos i quajtur zgjedhjet dhe duke i qëndruar dekretit për zgjedhje më 13 tetor. Pyetja, duke perifrazuar kryetaren e misionit të vëzhguesve të OSBE- ODHIR, Audri Glover është: a ka humbur kush përveç, votuesit në votimet e datës 30 qershor?!
Opozita ka shpallur fitoren duke thënë se 85% e shqiptarëve i kanë thënë jo, pjesëmarrjes në zgjedhje pa garë. Në këtë shifër, llogaritë bëhen duke supozuar se të gjithë shqiptarët që kanë lindur dhe janë regjistruar në Shqipëri janë votues potencial: 3.5 milionë votues. Ndërkohë që INSTAT thotë se në Shqipëri banojnë jo më shumë se 2.8 milionë banorë.
Gjithsesi, shifrat e ulta të pjesëmarrjes bashkë me raportimet ku në disa njësi numri i votave është më i lartë se ai i votuesve ngrenë pikëpyetje mbi integritetin e procesit të votimit. Pyetja a i prishi PS standartet në zgjedhjet ku konkurronte vetëm do ta marrë përgjigjen e plotë nga raporti finali vëzhguesve ndërkombëtare ashtu edhe nga raportet vëzhguesit vendorë.
Pjesëmarrja shumë e ulët e votuesve veçanërisht në bastione të opozitës si Shkodra, Tropoja, Kamza, apo Kavaja ngrenë pikepyetje mbi legjitimitetin e të zgjedhurve lokalë.
Bojkoti i shpallur nga partitë kryesore të opozitës duket se ka funksionuar. Por çmimi është tepër i lartë!
Nga 1 korriku- harta elektorale e të zgjedhurve vendorë ka vetëm një ngjyrë: vishnje! Përveç Kuvendit, tashmë edhe në parlamentet lokale- opozita nuk është më e përfaqësuar!
Qeveria këmbënguli se zgjedhjet duheshin bërë për të respektuar kushtetutën dhe për t’i dhënë fund precedentit që marrëveshjet politike të marrin prioritet mbi afatet kushtetuese!
Zgjedhjet lokale që tërhoqën vëmendjen ndërkombëtare nuk pritej të zgjidhnin krizën politike në vend. E vetmja shpresë ishte që pas 30 qershorit gjithsecili do të marrë shpërblimin për fitoren dhe do të pagujë faturën për dështimin.
Deklarimet e parë ishin për fitoren! Por askush nuk festoi. 30 qershori nuk pati as lot gëzimi as lot hidhërimi.
Në duelin politik mes shumicës dhe opozitës është prej javësh edhe Presidenti Republikës.
Sot kryetari shtetit këmbënguli se zgjedhjet do të zhvillohen në 13 tetor. Shumica ka nisur procedurën e shkarkimit të kryetarit të shtetit dhe pritja për ndërtimin e Gjykatës Kushtetuese duket e tepërt!
Deklarimet e sotme të Presidentit paralajmërojnë lëvizje të re politike. Me ftesën për zgjedhje “presidenciale” më 13 tetor, kryetari shtetit paralajmëron dorëheqjen.