Në Francë që nga 10 dhjetori 2018, prezervativët rimbursohen me asistencë publike me recetë mjekësore. Por tani presidenti francez, Emmanuel Macron dëshiron të shkojë më tej. Ai ka njoftuar futjen e një dispozite të re që do t’u lejojë të rinjve nga mosha 18 deri në 25 vjeç të marrin prezervativë falas në farmaci nga 1 janari 2023.
“Në farmaci, prezervativët do të jenë falas për 18/25 vjeç. Do të fillojë më 1 janar. Është një revolucion i vogël në parandalim”,-tha kreu i Elysee, gjatë diskutimeve në Këshillin Kombëtar të Rithemelimit (Cnr), kushtuar shëndetit të të rinjve.
Oferta falas që ai shpalli për të rinjtë nga mosha 18 deri në 25 vjeç ka të bëjë me pako me 6, 12 ose 24 prezervativë të disponueshëm në farmaci. Sipas Macron shëndeti seksual i të rinjve është një çështje që duhet marrë vërtet seriozisht.
