Pak ditë më parë kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi tha se këtë javë do të miratohet dhe drafti për procedurën e regjistrimit të votuesve të shqiptarëve jashtë vendit, që pritet të marrë konsensusin e partive politike.
Lexo edhe- Vota e emigrantëve, Celibashi: Pak kohë në dispozicion, por…
Por për ministrin e Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko tashmë vota e tyre është e përcaktuar në ligj dhe është detyrim kushtetues, duke u shprehur se KQZ nuk ka pse kërkon konsensus për një të drejtë që shqiptarëve jashtë vendit u takon.
“Votimi i shtetasve jashtë vendit nuk ka asnjë problem ligjor për t’u zhvilluar në zgjedhjet e 25 prillit të këtij viti. Nga strukturat përgjegjëse të ekzekutivit është plotësuar çdo angazhim ligjor. Arsyetimi që vjen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve se për të realizuar të drejtën e votës jashtë të shtetasve jashtë vendit duhet të pritet “konsensusi” i partive politike është antiligjor. Çfarë do të thotë që për të zbatuar ligjin duhet të kemi “konsensus” politik që ta zbatojmë atë?! Imagjinoni që ky standard të përdorej për ligjet që miratohen në Kuvendin e Shqipërisë pa “konsensusin” e opozitës”, tha Majko në Kuvend.
Ai foli dhe për procesin e regjistrimi të adresave jashtë vendit apo rinovimit të kartave të identitetit, që për Ministrin Majko nuk duhet të jenë ‘justifikim’ për mos realizimin e votës së shqiptarëve jashtë vendit.
“Procesi i rregjistrimit të adresave jashtë vendit apo rinovimit të kartave të identitetit dhe pasaportave është shqetësues. Ai në asnjë rast nuk mund të jetë justifikim për moszbatimin e ligjit për votimin jashtë vendit. Edhe për këtë arsye, ministria e brendshme e ka shtyrë afatin e përdorimit të dokumentave që duhen rinovuar deri në fund të prillit 2021. Emergjenca virusale dhe ndalimet e saj në vendet ku jetojnë komunitetet shqiptare padyshim që ka krijuar efektet dhe vështirësi të natyrshme. Mohimi i të drejtës së votës së shtetasve jashtë vendit, për arsye “regjistrimi”është justifikim. Pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të funksionojë sistemi i aplikimit për të votuar. Aty mund të aplikohet si me pasaportën e vjetër ashtu edhe me kërkesën për qartësimin e adresave të fundit të shtetasve me banim jashtë vendit. Realizimi i të drejtës së votës për shtetasit shqiptarë jashtë vendit është detyrim kushtetues dhe ligjor. Mazhoranca e ka vullnetin e plotë për këtë. Kush pret konsesus nga ata që nuk pranuan të mbajnë asnjë përgjegjësi shtetërore në opozitë do të dëmtojë kredibilitetin e zgjedhjeve të 25 prillit. Shpresoj që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mos kërkojë konsesus për zbatimin e ligjit për të drejtën e votës! Ai është detyrim dhe jo cështje për diskutim”, tha ai më tej.
