Nga Zefina Hasani
“Unë Sarajevë” ishte mbishkrimi që mbante numri i ri i telefonit, të cilin Majlinda na e plasi një ditë në whatsapp, në grup, pikërisht kur ishim në kulm të komunikimit tonë të zakonshëm, hidh e prit, ndër të qeshura me shpirt.
Deshi ta kalonte në atë kuturu komunikimi përcjelljen e numrit, që duke i përkitur një tjetër vendi, pra një tjetër largësie, do të na mërziste. Ajo e dinte këtë, por s’ia doli dot! Batutat u ngrinë, sosën në atë sekondë. “Po prit moj, duro!”- s’duroi dot pa i shkruar Ani, refuzuese, në emër të të trejave neve. “Po e vë punën përpara Majlinda. Ja, na sistemoi dhe me numrin e ri”- shtoi më pas Arjeta, në përpjekje për të shkrirë batutat. “Do ta mbaj këtë numrin Vodafone që kam. Këtu do të vazhdojmë të flasim, por ruajeni dhe numrin e ri, ta keni për çdo rast emergjence, kur do t’ju duhem”!
Majlinda gjeti kështu mënyrën e saj sportive për të zbutur ligështinë që krijon çdo lloj ikjeje e njeriut që do e që ke fort përzemër.
Ne që e njohim mirë, e prej kohësh, kuptuam (këtu po bëhem unë pohuese në emër të të trejave) se Majlinda ndoqi kështu zakonin e vet, gjeti rehatinë e saj, duke na siguruar ne (të tjerave) se s’do të jetë veçse një telefonatë më larg, nga Sarajeva, Brukseli a çdo vend tjetër i Europës, ku do t’i duhet të jetë non stop këto vite.
S’na çuditi aspak, sepse kështu ka qenë gjithmonë ajo. Eshtë ndierë rehat veç kur ka mundur të bëjë ç’të mundet për të tjerët. Eshtë gjithmonë aty ku don, me shpirt e mendje, të jetë. Në turravrap, gati, në çdo kohë, veç një telefonatë larg, jo vetëm për familjen, miqtë e të afërmit por dhe për punët, përgjegjësitë, detyrimet.
Dikur ishte për lajmin që duhej përkthyer, shkruar, redaktuar e transmetuar me korrektësi nga ekrani; për studentët e saj në fakultet; për fenomenet e shëmtuara të shoqërisë që duheshin ndjekur në skutat më të errëta të krimit, denoncuar e luftuar; për dhunën ndaj gruas e fëmijës…
Mandej ishte për hallet e votuesve të saj të parë e të fundit; për komisionet parlamentare, ligjet e amendamentet që duheshin propozuar, shtuar e ndryshuar për politika më të sakta e më konkrete; për nevojën jetësore të udhëtimit pa viza të çdo shqiptari; për konferencat ndërkombëtare, takimet diplomatike e negociatat me Brukselin, për të shënuar e firmosur data e hapa të rëndësishëm drejt aspiratës së madhe evropiane, si ministre e Integrimit të Shqipërisë në BE.
Ka qenë vetëm një telefonatë larg për çdo ditë të mirë e të vështirë, të pozitës e opozitës, për çdo aksion e debat politik, brenda dhe jashtë parlamentit, për të luftuar, mbrojtur e gëzuar për gjithçka të fituar me dinjitet e pasion.
Ka qenë vetëm një telefonatë larg për t’u gjendur aty ku mendimi se gjërat duhen udhëhequr nga politika civile e evropiane dhe jo anakronike e anarkike, duhej të thuhej hapur, në shesh të mejdanit, duke marrë mbi vete rriskun e sulmit politiko-tekanjoz e të përfoljes anonime-inatçore.
Edhe jashtë rutinës parlamentare ajo mbeti vetëm një telefonatë larg, për të zbërthyer kritikën e saj mbi gjithçka që i është dukur se po shkon keq e më dreq në këtë vend e për këtë popull, për të cilin ajo tani do të jetë më shumë se kurrë vetëm një telefonatë më larg.
Prej një tjetër drejtimi e niveli (si Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal) ku e meritoi të jetë, si e bekuar prej fatit të së drejtit, që të mund të vazhdojë të bëjë edhe më shumë për shqiptarët.
Prej institucioneve evropiane ku njihen e respektohen ligjet, rregullat e vlerat profesionale e njerëzore, që ajo i ka mbartur e ligjëruar që në krye të herës.
Prej një tjetër vendi, të cilit na u desh t’i mësonim dhe prefiksin +387, që në momentin kur na e çoi numrin e saj të ri, me mbishkrimin “Unë Sarajevë”, vetëm pak ditë para se të ikte me vërte (pa u përcjellë 😜😘), jo për t’u ndarë, por për të qenë vetëm një telefonatë më larg, mes nesh dhe Europës, pasionit e fatit të saj politik.