Kandidati socialist për bashkinë e Matit Agron Malaj vijon takimet me zgjedhësit e çdo qendre votimi. Pasi ka sqaruar qytetarët në lidhje me investimet e kryera gjatë katër viteve, Malaj ka shpalosur programin elektoral për mandatin e dytë.
“Vetëm me punë mund të arrijmë atë që duhej bërë prej vitesh për trevën e Matit. Gabimisht shumica e ish kryetarëve të komunave dhe bashkisë Burrel nuk kanë bërë sa duhet për vendlindjen. Ne, theksoi Malaj, duhet të krijojmë patjetër modelin e vlerave dhe të punës. Vërtetë kemi bërë ndryshime të mëdha, por ne gjykojmë dhe jemi të vendosur të bëjmë akoma më shumë”.
Duke sqaruar ambiciet për mandatin tjetër Agron Malaj u tha banorëve të lagjes “Pjetër Budi” Burrel se janë siguruar fondet për sistemimin 114 pallateve të qytetit Burrelit me veshjet kapot, të cilat do të sjellin jo vetëm kursim të energjisë, por edhe një vlerë të shtuar të pronës së qytetarëve. Ky nuk është thjeshtë një projekt rishikimi fasade, këtu kemi të bëjmë me një investim efiçence energjie.
Po ashtu do të organizohen dëgjesa me qytetarët për zgjidhjen e çështjes së parkimit të mjeteve të qytetarëve, mirëmenaxhimin e mbetjeve, mjediseve të përbashkëta të pallateve si dhe caktimin e administratorëve për blloqet e banimit.
Zgjedhësit që kanë marrë fjalën në këto takime janë shprehur se puna dhe kontributi i kryebashkiakut Agron Malaj është e dukshme dhe ai meriton një mandat të dytë.
“Kush ka sy e veshë dhe kush dallon ndryshimet e rëndësishme në bashkinë e Matit duhet të votojë pa rezerva Agron Malaj, njeriun e punës, drejtuesin vizionar, të palodhur, të përkushtuar, zyrtarin që respekton dhe mbështet çdo banor të Matit, pavarësisht bindjeve politike. Këto janë zgjedhje vendore dhe Malaj duhet të fitojë me rezultat të thellë”, kanë deklaruar zgjedhësit.