Në vijim të takimeve me banorët e njësive administrative për buxhetin e vitit 2020, sot kryebashkiaku i Matit Agron Malaj është takuar me banorët e Macukullit.
Fillimisht kryetarët e fshatrave Macukull, Dejë Macukull, Shëlli, Shqefën e Vig prezantuan problemet që ato kanë, duke u ndalur në shqetësimet e trashëguara, rrugët rurale të dëmtuara, keqmenaxhimi i ujit të pijshëm dhe vaditës, ndihma për fermerët, etj. Këto e të tjera probleme ngritën edhe banorët që morën fjalën në këtë dëgjesë publike.
Duke iu përgjigjur kryetarëve të fshatrave dhe banorëve kryetari i Bashkisë Mat Agron Malaj tha se ai nuk ishte në këtë mbledhje si përfaqësues politik, por si një shërbëtor i qytetarëve.
“Pas 30 qershorit nuk jam më drejtues politik, unë tashmë jam shërbëtor i çdo banori matjanë. Deri dje rruga, uji, kanali, energjia, etj, adresosheshin politikisht, për mbështetësit e një subjekti politik. Tani nuk do të ndodhë kështu. Shërbime cilësore dhe të shpejta do të ketë çdo banor i Matit, i majtë, i djathtë apo pa parti”.
I pyetur në se do të ndëshkohen abuzuesit me fondet publike Malaj u shpreh se po evidentohen të gjitha shkeljet ligjore që janë kryer nga ish drejtuesit vendor në bashki dhe njësitë administrative dhe ato do të kallzohen nga organet e drejtësisë.
Malaj deri tani ka organizuar dëgjesa publike me banorët e njësive Komsi, Lis e Macukull. /tirananews.al/