Rei Manaj duket se pak nga pak po arrin që të tregohet vendimtar ashtu siç shpresonte në lojën e Barcelonës B. Pas një fillimi të dobët të kampionatit, sulmuesi shqiptar po ndihmon ekipin katalanas që të fitojë pozita në klasifikim me golat e tij dhe sot i ka siguruar një fitore shumë të rëndësishme përballë Espanjol B në derbi.
Ka qenë një gol i Manajt ai që ka vulosur fitoren 2-1 të ekipit të Barcelonës dhe ishte një aksion i cili trgonte me saktësi aftësitë e tij. Manaj shmangu me “dhunë” dy mbrojtës kundërshtarë para se të shmangte portierin dhe të dërgonte topin në rrjetë kur shënohej minuta e 80 e kësaj ndeshje.
Kështu, Barcelona B u largua për momentin nga zona e ftohtë në grupin e saj në kategorinë e tretë, ndërsa për sulmuesin shqiptar fillon të vihet re roli i liderit mes të rinjve të skuadrës katalanase, ku janë varur shpresat të aftësitë e tij për të mbajtur ekipin pranë kreut, që në fund të sezonit të synohet ngjitja më lart.
