Manastiri i “El Escorial” në Madrid u bë pjesë e Trashëgimisë Botërore në vitin 1984. Eshtë një nga monumentet më përfaqësuese të arkitekturës spanjolle, i lidhur ngushtë me monarkinë hispanike dhe “epokën e artë”.
San Lorenzo de El Escorial ndodhet rrëzë kodrave të Guadarrama-s, vetëm 50 km larg Madridit, në një mjedis impresionues natyror me bukuri të jashtëzakonshme. Kjo ndërtesë me përmasa kolosale, e jashtëzakonshme për kohën, u urdhërua të ndërtohej në vitin 1563 nga Mbreti Felipe II, në nder të fitores së betejës së San Quintín-it, që u zhvillua në ditën e San Lorenzo-s dhe me qëllimin që të bëhej panteoni i monarkëve spanjollë nga Carlos i V-të e deri në ditët e sotme.
Manastiri strehonte jo vetëm komunitetin fetar të “Urdhërit Jerónim”, por pjesë të tij kishte edhe një Pallat Mbretëror, një shkollë, një seminar, një bibliotekë dhe bazilikën. Tek kjo e fundit ruhen vepra të pikturës dhe skulpturës nga artistët më të shquar spanjollë dhe italianë. Kompleksi është ndërtuar rreth oborreve dhe manastireve dhe forma e konstruksionit përbën një instrument martirizimi për shenjtorin të cilit i kushtohet.
Manastiri kapërcen kështu funksionalitetin e tij duke simbolizuar fuqinë e monarkisë katolike të asaj kohës si dhe lartësimin e figurës së Filipit II si një Solomon i ri, një mbret i mençur dhe i matur.Punimet e para u filluan nga Juan Bautista de Toledo dhe vazhduan pas vdekjes së tij nga Juan de Herrera, i cili la gjurmë të thella në arkitekturën e Rilindjes spanjolle me stilin e tij “Herrerian”, i karakterizuar nga monumentaliteti i ashpër i ndërtesave. / tirananews.al







