Qeveria miratoi sot vendimin për rritjen historike të pagave për mësuesit dhe punonjësit në sistemin arsimor parauniversitar. Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, në komunikimin me median pas mbledhjes së qeverisë, e ka konsideruar këtë vendim historik për motivimin dhe mbështetjen e mësuesve dhe rritjen e cilësisë së mësimdhënies.
“Dua të ndaj me ju, por mbi të gjitha me mësuesit në sistemin tonë arsimor, një lajm vërtetë të mirë përsa i përket rritjes historike të pagave për mësuesit, e cila fillon nga 1 korriku dhe do të përfshijë 30 mijë punonjës në sistemin tonë arsimor, duke qenë kjo rritja më e madhe e pagave në këto dekada. Paga mesatare e mësuesve rritet me 18 mijë lek të reja/muaj apo me tre paga në vit, duke e çuar pagën mesatare të mësuesve 950 euro”,- tha Ministrja Manastirliu.
Pagat e mësuesve të arsimit të mesëm të lartë me 15 vite eksperiencë shkon 98,500 lekë. Pagat e mësuesve të arsimit të mesëm të ulët me 15 vite eksperiencë shkon 96,600 lekë. Pagat e mësuesve të arsimit të ulët 9-vjeçar me 15 vite eksperiencë shkon 95,000 lekë. Nga kjo politikë e re pagash përfitojnë gjithashtu edhe punonjësit e shërbimit psiko-social (psikologët dhe punonjësit socialë), oficerët e sigurisë në këto insitucione, të cilët luajnë rol tepër të rëndësishëm në mirëqenien e dhe sigurinë e fëmijëve.
“Paga e një punonjësi të shërbimit psikosocial në shkolla me 15 vite eksperiencë shkon 91,000 lekë dhe paga e një oficeri sigurie shkon 80, 000 lekë në muaj”,- tha Ministrja Manstirliu. Kjo politikë pagash është gjithëpërfshirëse dhe përfitojnë gjithashtu edhe edukatorë në kopshte dhe çerdhe si dhe mësues të arsimit profesional.