Mançester Siti e sheh veten shumë pranë finales së Ligës së Kampioneve në Stamboll, pasi ka marrë sot një rezultat të shkëlqyer në ndeshjen e parë gjysmëfinale kundër favoritëve të PSG. Skuadra e Pep Guardiolës fitoi 2-1 në Paris falë një pjese të dytë thuajse perfekte, për një rezultat që do të mundohen ta administrojnë me qetësi, ndryshe nga PSG që nuk ia doli edhe pse ishte në avantazh sot.
PSG dominoi në pjesën e parë, duke qenë vazhdimisht shqetësuese për prapavijën e anglezëve, por goli erdhi me një goditje nga këndi, nga e cila Markinjos me kokë e dërgoi topin në rrjetë. Të udhëhequr nga Nejmar në një formë të shkëlqyer, parisienët provuan disa herë të dyfishonin shifrat, por nuk ia dolën.
Ndoshta kjo i dha zemër Mançester Sitit i cili në pjesën e dytë të ndeshjes u fut krejtësisht ndryshe, shumë më agresiv dhe nuk lejoi në asnjë moment parisienët të dilnin të qetë në sulm. Nga ana tjetër, iu afruan shumë herë portës derisa gjetën barazimin me një gjuajtje të De Bryjn që i gjeti të përgjumur mbrojtjen dhe portierin. PSG nuk e mori veten dhe pak minuta më vonë pësoi edhe golin e 2-1 të anglezëve me një goditje dënimi të Mahrez. Më pas, Siti nuk dhuroi asnjë hapësirë dhe i mbajti Mbape & Co. larg portë, duke marrë një fitore në transfertë që bën që finalja e Stambollit të duket shumë afër
PSG-Mançester Siti 1-2
15′ Markinjos / 64′ De Bryjn, 71′ Mahrez
