Viti 2019 i ka gjetur bizneset e Spa-ve në një konkurrencë të fortë mes tyre, duke shtuar edhe ndërtimin e hoteleve të reja luksoze, të cilat e kanë pjesë të tyre ofrimin e këtij shërbimi. Stresi dhe “mania” e të qenët i shëndeteshëm po nxisin frekuentimin e tyre. Tashmë tregu është i mbingopur, ku aktorët kërkojnë monitorim dhe vlerësim të tyre…
Të qenët i shëndetshëm është kaq në ‘modë’ tani. Mjaft të shikoni Instagram, ku reklamohet trendi i spikatur i ushqimit, fitness-it dhe trajtimeve për të pasur një paketë të plotë. Suksesi kryesor i qendrave të mirëqenies dhe ‘garave’ mes tyre ka krijuar një valë të re mënyrash për të shitur shërbimet e mirëqenies që ndryshe quhen ‘Wellness’.
Qendrat e Spa-ve po rriten shumë shpejt në të gjithë vendin, duke rrezikuar mbingopjen e tregut. Nga viti i shkuar, numri i tyre është rritur sërish, duke numëruar më shumë se 50 të tilla. Çfarë e ushqen këtë biznes? Aktorët kryesorë japin disa arsye: Jeta dinamike dhe nevoja për të pushuar, trendi i Instagram-it dhe mania për të ndjekur një model; një formë argëtimi, sidomos e një kategorie njerëzish që nuk tërhiqen më nga jeta e natës apo forma të ngjashme; ulja e çmimeve nga konkurrenca i ka bërë këto shërbime më të përballueshme për një pjesë të konsiderueshme. Dhe, mbi të gjitha, nevoja shpesh shëndetësore për të marrë shërbime të tilla.
Spa-të nuk janë më luks, përkundrazi! Plakja, sëmundjet nga mënyra e jetesës, mangësitë në sistemin tradicional shëndetësor në parandalimin dhe trajtimin e disa sëmundjeve janë duke nxitur më tepër njerëz drejt marrjes së shërbimeve të mirëqenies, edhe si një mënyrë parandalimi.
Frekuentimi i Spa-ve nuk konsiderohet më një luks, por nevojë
Sipas drejtuesve të disa Spa-ve në kryeqytet, rritja e frekuentimit dhe ndërgjegjësimi ndër vite për rëndësinë e shërbimeve të mirëqenies, kanë nxitur që njerëz jo profesionistë të fushës, të hapin ambiente të tilla në Tiranë, duke e çuar tregun e vogël shqiptar në një mbingopje.
Emona Begolli, administratore e Bamboo Spa & Hammam, thotë për “Monitor” se ka ardhur koha që ky sektor të monitorohet më tepër dhe të vlerësohet, sikurse ndodh në hoteleri, me yjet përkatëse për çdo qendër.
“E drejta për të bërë Spa, i lind çdokujt në treg. Sidomos vitet e fundit është rritur numri i tyre në kryeqytet, si nga profesionistë ose jo të fushës, të cilët thjesht e kanë ngritur si biznes. Mendoj se ka ardhur koha që edhe në Shqipëri të funksionojnë si në botë, me vlerësim me yje të qendrave të Spa-ve, që është i njohur në sektorin hotelerisë. Kjo do të ishte më e ndershme për aktorët e tregut që të vlerësoheshin sipas shërbimeve që ofrojnë dhe të gjithë komponentëve bashkë”, – thekson znj. Begolli.
Menaxheri i Nobis, Alban Hamzaj, shton se përqafimi i shërbimeve të mirëqenies ka ardhur edhe në Shqipëri, si një trend nga jashtë dhe është shumë i kërkuar. “Në fillim ka hasur vështirësi, duke qenë se një person parapëlqente të bënte vetëm një prej aktiviteteve dhe nuk e gjykonte të arsyeshme që të bënte disa njëkohësisht. Ideja ishte që njerëzit të bënin të gjitha zonat që të merrnin dhe përfitimet e tyre, për një mirëqenie më të mirë”, pohon ai duke shtuar se me kalimin e viteve, ndryshoi mendësia dhe njerëzit e kuptuan atë që me të vërtetë jep ‘wellness’. Pas viteve 2000, në të gjithë botën ndryshoi dëshira nga fitness në shërbime mirëqenie.
Fillimisht kemi punuar me trajnimet e stafit që të bindnin njerëzit që të provonin të tria zonat. Më pas, në harkun kohor të 7 viteve, kërkesat ishin aq të larta sa investohej çdo vit në përmirësimin e infrastrukturës. Këtë vit, po e lidhim këtë paketë mirëqenie edhe me ushqimin, kemi hapur një restorant me menu të shëndetshme për ta plotësuar këtë shërbim deri në fund”, – thotë z. Hamzaj. Menaxherja e AS SPA, Brikena Maloku, thotë se kultura për kujdesin ndaj vetes ka filluar të jetë pjesë e stilit të jetës së çdo individi edhe në Shqipëri, me një zgjerim sidomos dy vitet e fundit.
Ajo shprehet se kostoja e një biznesi të tillë është e lartë. Nëse do të kesh një qendër me parametra bashkëkohorë duhet të investosh që të japësh më të mirën dhe në fund, të marrësh produktin e punës tënde. Menaxheri i Diplomat Spa në Tiranë pohon se klientët e hoteleve, kryesisht të huajt, janë vizitorët kryesorë të Spa të hoteleve të tyre. Madje, ndërtimi i tyre si pjesë e aktivitetit kryesor, erdhi nga kërkesa në rritje dhe zhvillimit të këtij tregu. “Klientët tanë të huaj na pyesnin gjithnjë për një qendër të tillë, si nevojë për të pushuar pas një dite të gjatë me takime biznesi”,- pohon ai. Dy-tre vitet e fundit, një pjesë e madhe e hoteleve në vijën bregdetare të Shqipërisë kanë përfshirë qendrën Spa në ambientin e tyre, si një tërheqje për klientët./ Marrë me pjesë nga Monitor