Pak minuta pas vendimit të Kryesisë së PS-së për kandidatët në zgjedhjet e pjesshme lokale është prononcuar për mediat drejtuesi politik i Qarkut Dibër, Ulsi Manja.
Ai tha se Kryesia analizoi kandidaturat e paraqitura nga ana e tij dhe në fund të mbledhjes u konkludua se kandidati më potencial ishte Rrahim Spahiu, një person me karrierë të pasur në administratën shtetërore dhe sistemin bankar.
“Rrahim Spahiu ka aftësi të mira menaxheriale dhe me siguri do të punojë fort për zhvillimin e Dibrës”, tha Manja.
Sakaq kryesocialisti i Dibrës Agron Cerri theksoi se kjo kandidaturë është pritur mjaft mirë jo vetëm nga socialistët e këtij rrethi por edhe dibranët pa parti.
“Dibranët, tha Cerri, janë të prirur të votojnë njeriun e aftë, punëtor dhe korrekt. Miratimi i kësaj kandidature i bën nder gjithë dibranëve”.