Presidenti i Maqedoninë së Veriut, Stevo Pendarovski nuk ka besim se në kuvend do të gjendet mbështetja e duhur për votimin e ndryshimeve kushtetuese për sanksionimin e propozimit francez.
Në një intervistë për gazetën greke Etnos ai thekson se kompromisi i propozuar i jep mundësi Maqedonisë së Veriut të nisi sa më parë negociatat.
“Duke marrë parasysh ndarjen aktuale politike, shanset janë shumë të vogla që ndonjë parti politike të sigurojë një shumicë prej dy të tretash në parlament që do të mbështeste atë amendament kushtetues”.
Ai evidenton se Rusia ashtu si edhe në 2018, gjatë referendumit për marrëveshjen e Prespës, edhe tani po prodhon kërcënime jashtëzakonisht serioze hibride, veçanërisht në propagandë politike dhe fushatë dezinformomi.
“Në Maqedoninë e Veriut, kompleksiteti dhe intensiteti i tyre është i njëjtë me atë të vitit 2018, gjatë referendumit pas Marrëveshjes së Prespës. Nuk kam njohuri të plota për vendet e tjera, por disa pika të dobëta në rajon janë të njohura mirë për Moskën dhe sigurisht që po përpiqet të depërtojë”.
Pas pauzës për shkak të festës së Kurban Bajramit në Shkup rikthehen sot pasdite protestat kundër propozimit francez të organizuara nga opozita.