Ministri i Arsimit në Maqedoninë e Veriut Jeton Shaqiri, thotë se MPB-ja tashmë është duke analizuar disa video materiale të TikTokut që janë publikuar nga nxënësit dhe nëse vlerësohet se janë joadekuate për moshën e fëmijëve bashkë me Ministrinë për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Agjencinë për Komunikime Elektronike dhe me institucione tjera, do të shqyrtohen të gjitha mundësitë për të kufizuar mënyrën e përdorimit të TikTokut si aplikacion.
“Janë disa shtete në të cilat është ndalur dhe të cilat kanë përvoja, janë disa shtete tjera në të cilat ka iniciativa dhe në këto iniciativa ka edhe komente nga ana tjetër që të ketë ndalesë të përgjithshme por të shikohet mundësia e mos keqpërdorimit për atë arsye them të gjithë mundësitë janë të përfshira edhe ndalja e tërësishme e Tik-Tokut si mundësi ku shohim që të gjitha këto problematika po vijnë nga ky lloj sistemi”.
Në punëtorinë me nxënës dhe mësimdhënës me temën “Siguria në shkolla – ndërtimi i mekanizmave të parandalimit dhe paralajmërimi i hershëm” në kuadër të projektit shkencoro-hulumtues të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, sic njofton Klan Maqedonia, ekspertë dhe profesorë universitar rekomandojnë që në këto projekte të implikohen të gjitha palët.
“Vlerësoj se është problem aktual pas të cilit duhet të gjithë të qëndrojmë dhe të vendoset një qasje ndërdisiplinorë dhe aktivitete në aspekt me të gjitha palët në vend duke përfshirë edhe organizata të ndryshme, ministritë dhe vetë nxënësit, mësuesit dhe prindit që të gjendet zgjidhje dhe rekomandime që të ndalet dhuna në këto treva”.
Profesorja universitare, Sofija Arnaudova, duke u bazuar në analizën ku janë përfshirë mbi 2.000 nxënës, bën me dije se në vendin tonë dhuna shkollore është në rritje.
“Nëse 10 vite më herët nuk e kemi njohur dhunën dixhitale sot mund të deklaroj se kjo lloj dhunë kibernetike është njëra nga më të shpeshtat që të rinjtë apo nxënësit ballafaqohen dhe ajo që për mua janë të dhëna të habitshme është që 37% të nxënësve kanë thënë se nuk ndjehen të sigurte në shkollë”.
Ministri i Arsimit, paralajmëroi se do të analizohet edhe mënyra e shfrytëzimit të rrjeteve tjera sociale, se si të ketë kufizime në mënyrën e krijimit të profileve, konfirmimin dhe futjen e të dhënave.
Për këtë, do të bisedohet me psikologë, pedagogë, ekspertë të MASH-it, Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale dhe me njerëz të sektorëve të arsimit nëpër komuna.
Sipas tij, bëhet fjalë për masa paraprake, kurse nga viti i ardhshëm shkollor do të ketë protokoll konkret.