Mariana Kondi ka treguar se si e ka ngacmuar bashkëshorti që ka sot, në rininë e saj. Teksa kishte me vete dhe bluzën me të cilën e njohu, Mariana tregoi historinë e famshme të xhiros nga Rruga e Durrësit, tek Korpusi.
E ftuar në studion e emisionit ‘Rudina’, ajo tha se me atë bluzë, mbi të cilën shkruhet ‘Sega la legna’ (sharrojmë një drasë), ishte ngacmuar në fillimet e saj me të shoqin. Ky I fundit, e kishte ngacmuar me shprehjen që shkruante mbi bluzë duke i thënë: ua çfarë dërrase! Por, Kondi, kishte menduar se bazuar në këto shprehje, ai nuk e donte më.
“Në këtë bluzë shkruhet Sega la legna që unë nuk e kisha idenë se çfarë do të thotë, që do të thotë sharrojmë një drasë në italisht. Ne vajzat e rrugës së Durrësit nga Pallati i Kulturës deri në Korpusin Qëndror bënim atë xhiron e famshme, pastaj kur vinte koha e plazhit ishte akoma më bukur, nga Iliria deri tek Hekurudha bënim xhiro në darkë. Unë me një bluzë të tillë që e kisha marrë borxh që shkruheshe Sega la legna bëja xhiro dhe mezi prisja të shihja tim shoq, ta kisha përballë dhe t’i qeshnim njëri-tjetrit. Vetëm me atë të qeshur ne rrinim një muaj, kishim një kënaqësi të madhe, mjafton që më qeshi. Gjatë xhiros së bukur e kisha përballë dhe ai më thotë hajde sharrë hajde. Unë thashë uaa çfarë është kjo sharrë, e shoqja më thotë jo moj pale për çfarë e ka patur. Ecëm sa ecëm dhe u kthyem dhe ishim prap përballë dhe më thotë prap ëoë çfarë sharre, hajde sharrë hajde dhe unë e zeza, po ky kujt i thotë sharrë! I thashë asaj shoqes me siguri ky nuk më do më. U trishtova dhe mërzita shumë. E ndoqa nga pas dhe përballë prap më thotë ëee çfarë sharre. E unë i them ore ti kujt i thua sharrë, e më thotë asnjë njeriu. I them po ti po më drejtohesh mua, e më thotë po ti e ke të shkruar tek bluza. E ke gabim i them, këtë bluzë e veshin vetëm femrat e bukura dhe ika,”- tregon Mariana Kondi.
