Tashmë kemi një marrëveshje mes LDK dhe LVV për krijimin e qeverisë së re të Kosovës. Ilir Ibrahimi, President i Dhomës Ekonomike Amerikane në Kosovë thotë se qeverinë e re e presin shumë sifda të mëdha, megjithatë ai shprehet se nuk pret ndonjë mrekulli.
Ilir Ibrahimi tha se: “Ka shumë sfida të mëdha nga dialogu me Serbinë, Gjykata Speciale që pritet të fillojë me akt akuzat e para. Ndërkohë që kemi një gjendje jo shumë të mirë ekonomike, sociale, shëndetësia, arsimi etj. Ka shumë sfida por nuk presim të bëhen mrekulli, të paktën të ketë një shpirt të bashkëpunimit për të bërë mirë dhe çdo gjë që do të bëhet pozitive do të mirëpritet, mirëpo nuk pres që kjo qeveri do të bëjë mrekullira.”
I ftuar në studion e lajmeve në RTV Ora, Ibrahimi tha se fajtor për mos arritjen e një marrëveshje që në fillim janë të dyja forcat politike. Ai thotë se pengesa kryesore ishte synimi i Albin Kurtit për të zgjatur formimin e qeverisë me dëshirën që të zgjatet edhe dialogu me Serbinë. Ai thotë se brenda dyerve të mbyllura të negociatave pati edhe presion ndërkombëtar.
Ibrahimi shtoi më tej: “Po ka pasur, edhe pse faktori ndërkombëtar nuk e ka bërë një deklarim të tillë, unë nuk dyshoj që prapa dyerve të mbyllura është bërë presion sepse duhet një qeveri tani. Nëse kemi gjithë atë administratë amerikane që është ngritur në këmbë për të gjetur një zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë dhe të presin për tekat e dy partive politike në Kosovë atëherë kjo nuk është në të mirën e Kosovës. Ky presion duket se ka dhënë frytet e veta.”
Në aspektin ekonomik, Ibrahimi është i bindur se qeveria e Albin Kurtit do të heqë taksën e vendosur ndaj Serbisë, pasi mbajta e saj nuk do të pranohet as nga faktori ndërkombëtar.