Kryeministri grek Mitsotakis në një deklaratë për mediat la të kuptohet për mundësinë e rindërtimit të qeverisë, duke thënë se masat korrigjuese janë të nevojshme sepse partia e tij nuk arriti rezultatin e pritur në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.
Partia Demokracia e Re e Mitsotakis, e cila ka qeverisur Greqinë që nga viti 2019, fitoi 28.3 për qind të votave në zgjedhjet e BE-së, por nuk arriti objektivin prej 33 për qind që Mitsotakis vendosi gjatë fushatës zgjedhore, raporton Reuters.
Rezultati i fundit është shumë më i ulët se 40 përqind e votave që fitoi partia e tij në zgjedhjet kombëtare të vitit të kaluar.
“Kemi tre vjet përpara. Është detyra ime të vazhdoj me të gjitha ato lëvizje korrigjuese që do t’i tregojnë njerëzve se ne kemi marrë parasysh mesazhin e tyre,” tha Mitsotakis, duke përjashtuar mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme kombëtare.
Mitsotakis premtoi se qeveria e tij do të punonte më shumë brenda kufizimeve buxhetore për të luftuar rritjen e çmimeve të ushqimeve, megjithëse ai përjashtoi uljen e taksës së vlerës së shtuar.
Pavarësisht procesit të rimëkëmbjes pas një dekade problemesh ekonomike, pagat në Greqi ende mbeten prapa mesatares evropiane.