Policia e Malit të Zi ka dhënë detaje për masakrën që tronditi ditën e premte vendin fqinj, ku një burrë vrau 10 persona, përfshirë dy fëmijë, përpara se të vritej nga një kalimtar. Drejtori i Policisë malazeze, Zoran Brdjanin tha se agresori Vuçko Boriloviç, përdori një çifte gjahu për të vrarë fillimisht dy fëmijë të moshës 8 dhe 11 vjeç, së bashku me nënën e tyre, të cilët jetonin me qira në shtëpinë e tij, në lagjen Medovina të Cetinjës. Më pas, sipas Brdjanin, ai doli në rrugë dhe qëlloi 13 persona të tjerë, duke vrarë 7 prej tyre.
Njëri prej banorëve thotë se është i habitur nga ngjarja, pasi në sjelljen e tij nuk shfaqte apo tregonte se mund të ishte i rrezikshëm. Një tjetër mendon se ngjarja mund të ishte parandaluar.
“Kohët e fundit, ndoshta edhe në muajt e fundit, nuk ishte më Vuku që njihnim më parë. Mund të themi se ai vazhdimisht kishte ndjenjën se dikush po e përndiqte”,- thotë një prej banorëve në Cetinjë.
Në fshatin Movadinë ku jetonte 34-vjeçari, mëngjesin pas masakrës i gjen shtëpitë e braktisura, edhe ata pak banorë të mbetur të cilët janë ose të afërm të viktimave ose të vrasësit shfaqen agresivë ndaj medias dhe vizitorëve të paftuar.

