I dyshuari për vrasjen bashkatdhetarit të tij, një 41-vjeçar shqiptar është dënuar me 18 vjet burg ditën e sotme nga gjykata e Apelit në Arnhem të Holandës. 41 vjeçari ndodhet në burg prej 4 vitesh pasi dyshohet se masakroi me çekiç shqiptarin Demë Lulajt në Winterswijk për gjakmarrje.
Ai e goditi disa herë Lulajn me çekiç në pjesën e pasme të kokës. Ngjarja e rëndë ndodhi të dielën e 29 tetorit 2017, në mes të ditës në një trotuar në Verlengde Morsestraat në Winterswijk, kur 41 vjeçari pasi e aksidentoi me makinë Lulajn, doli prej saj dhe e goditi disa herë me çekiç. 58-vjeçari vdiq një ditë më pas në spital. Gjithçka mendohet se ka ndodhur për gjakmarrje pasi i dënuari në moshën 12-vjeçare ka qenë dëshmitar i vrasjes së babait të tij nga i vëllai i Demë Lulaj me një copë druri në kokë. Sipas gjykatës, vrasja ka qenë e mirë menduar.
Makina e 41-vjeçarit ishte parë disa herë në rrugën ku banonte viktima përpara vrasjes. Në seancën e gjykatës së Apelit ku u la në fuqi vendimi i shkallës së parë ka pasur edhe përplasje mes gruas së Demë Lulajt, vajzës dhe vetë autorit. Gruaja e Lulajt ka deklaruar se jeta e saj ishte kthyer në ferr, si në aspektin psikologjik ashtu edhe atë financiar. E bija iu drejtua personalisht autorit të krimit me një zë kërcitës: “Shpresoj që shpirti yt të digjet në pusin më të thellë të ferrit!” Nga ana e tij, autori i është përgjigjur në gjuhën shqipe, ndërsa vajza e Lulajt i ka hedhur gotën me ujë dhe një kuti me shami, shkruajnë mediat holandeze.
Më pas seanca u shty. Kur kryetari i gjykatës e pyeti të akuzuarin se çfarë kishte thënë, ai ngriti supet: “S’e mbaj mend”.
Dyshimet për ta vrarë autorin
Autori ka deklaruar se kanë tentuar ta helmojnë me ushqim dhe pije. Kryetari i Gjykatës e siguroi të akuzuarin se ai ishte dënuar me 18 vjet burg dhe se tani kishte mundësinë të tregojë versionin e tij të ngjarjes. Por shqiptari, i cili, me shtetësi gjermane, i qëndroi përgjigjes që jepte pa ndryshim, nëpërmjet një përkthyesi: “S’dua të flas, më vjen keq për familjen, jam i pafajshëm. Nuk kam asnjë lidhje me vrasjen”
Avokati
Avokati i të dyshuarit apeloi kundër dënimit me 18 vjet burg pasi i është referuar deklaratave të dëshmitarëve se nuk e kishin njohur të dyshuarin si autor të vrasjes. “Dhimbja dhe vuajtja e të afërmve është e qartë. Por unë jam këtu për të bërë punën time dhe klienti im beson se është i pafajshëm”, është shprehur avokati. Sipas avokatit, “ndoshta klienti im ka dashur ta paralajmërojë Demë Lulajn që t’i mbajë larg vajzat e tij. Që ka pasur një çekiç në makinë nuk është aq e çuditshme, sepse ai punonte në ndërtim”.
Përgjimet
I dyshuari deklaroi se më 29 tetor 2017, ditën e sulmit ndodhej në Itali pasi vëllai i tij ishte aksidentuar. Më pas nga tabulatet u zbulua edhe një bisedë e regjistruar mes vëllezërve të të dyshuarit, ku flitet për gjakmarrje: “Gjaku u la. Le të shpresojmë që çdo gjë të shkojë mirë dhe ai të dalë nga burgu”.
Gjurmët e ADN-së
Gjurmët e ADN-së e gjetura në xhaketën e Demë Lulajt ishin edhe ato që çuan në arrestimin e tij. “Gjurmët kanë 56 milionë herë më shumë gjasa t’i përkasin të dyshuarit se sa ndonjë personi tjetër. Kjo tregon se ai ishte në vendin e ngjarjes më 29 tetor 2017”, theksoi prokurori. Sipas tij, i dyshuari ka vepruar me dashje dhe ka kryer vrasje me paramendim. Gjatë kontrollit kufitar në veturën e tij është gjetur një armë zjarri e mbushur.
Plani për të vrarë
Prokurori deklaroi gjithashtu se “autori kishte në plan të vriste Lulajn” duke kërkuar 18 vite burg për të.
“E kam parasysh gjithashtu se i dyshuari nuk ka bërë të ditur asnjë informacion dhe nuk ka marrë përgjegjësi për aktin e tij”. Në fjalën e fundit i dyshuari i qëndroi alibisë së tij se nuk ka qenë në vendin e krimit dhe nuk e ka kryer vrasjen. Ndërkaq, vendimi i Gjykatës së Drejtësisë për vrasjen me çekiç është të enjten më 9 qershor.